Rusia goditi me raketa qytete në gjithë Ukrainën në orët e para të së premtes ndërsa njerëzit flinin, duke vrarë të paktën 17 persona në sulmet e para ajrore në shkallë të gjerë prej gati dy muajsh.
Disa orë pas sulmeve, Kievi tha se po përfundonte përgatitjet për një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë kontrollin e territorit të pushtuar nga forcat ruse që kur nisi lufta para 14 muajsh.
Në qytetin qendror të Umanit, zjarrfikësit u përpoqën të vinin nën kontroll një zjarr të furishëm në një ndërtesë banimi që ishte përfshirë nga flakët në katin e sipërm.
Të paktën 15 persona u vranë në Uman, përfshirë dy fëmijë, dhe nëntë persona u dërguan në spital, tha guvernatori rajonal.
Në qytetin juglindor të Dnipros, një raketë goditi një shtëpi, duke vrarë një fëmijë 2-vjeçar dhe një grua 31-vjeçare, tha guvernatori rajonal Serhiy Lysak. Në sulm u plagosën edhe tre persona.
“Ekipet e shpëtimit do të punojnë derisa të sigurohen që askush tjetër të mos mbetet nën rrënoja”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në Twitter.
“Ne mund ta mposhtim terrorin rus vetëm së bashku – me armë për Ukrainën, sanksionet më të ashpra kundër shtetit terrorist, dënime të drejta për vrasësit rusë.”
Ushtria ukrainase tha se kishte rrëzuar 21 nga 23 raketa kruz të lëshuara nga Rusia.
OBJEKTET ENERGJIKE
Nuk ishte e qartë se cili ishte objektivi i Rusisë me sulmet e së premtes. Operatori kombëtar i rrjetit të Ukrainës, Ukrenergo, tha se sulmi nuk dëmtoi asnjë infrastrukturë energjetike.
Rusia filloi të kryejë sulme të tilla në fund të vitit të kaluar afërsisht çdo javë gjatë dimrit. Ato u pakësuan me përfundimin e dimrit dhe fuqitë perëndimore thanë se Moska kishte përdorur pjesën më të madhe të arsenalit të saj të raketave me rreze të gjatë veprimi, në përpjekje për të rrëzuar objektet e energjisë dhe të linte pa ngrohje qytetet e Ukrainës.
Moska thotë se nuk vë në shënjestër civilët, por sulmet ajrore dhe me granata kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve dhe kanë shkatërruar qytete në të gjithë Ukrainën.
Kievi thotë se sulmet në qytete larg vijave të frontit nuk kanë asnjë qëllim ushtarak përveç frikësimit dhe goditjes së civilëve, një krim lufte.
Edhe kryeqyteti Kiev u trondit nga shpërthimet dhe zyrtarët njoftuan se njësitë e mbrojtjes ajrore kishin shkatërruar 11 raketa dhe dy drone.
Dy persona u plagosën në qytetin Ukrayinka në jug të Kievit dhe pati njoftime për shpërthime në qytetet qendrore Kremenchuk dhe Poltava dhe në Mykolaiv në jug, thanë zyrtarët rajonalë.
Ofensiva dimërore ruse njëmujore fitoi pak terren pavarësisht luftimeve më të përgjakshme deri tani.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha se Kievi po përfundon përgatitjet për një kundërofensivë, por nuk tha se kur mund të fillojë./VOA/
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...