Për marrje ryshfeti, dënohet me dy vjet e gjysmë burg dhe 5 mijë euro gjobë

11:23 | 28 Prill 2023
L G

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.B. për shkak të veprave penale “Marrja ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari S.B, sipas gjykatës, është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 19.09.2019 deri me datën 13.12.2019, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 14.12.2019 deri me datën 23.03.2020 si dhe dënim unik me gjobë në shumë prej pesëmijë (5.000) €uro, të cilin dënim i akuzuari S.B është i obliguar ta paguaj në afat prej një (1) muaji nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin unik me gjobë, atëherë të akuzuarit dënimi unik me gjobë i zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 250 (dyqindepesëdhjetë) ditëve, duke e llogaritur për çdo ditë të kaluar në burgim nga 20 (njëzet) €uro”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarit i shqiptohet edhe dënim plotësues, i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 (tri) viteve, e cila ndalesë do fillojë të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim të shqiptuar me këtë aktgjykim.

“Ndaj të akuzuarit konfiskohet arma e tipit “Zaza Mini” e kalibrit 8 mm, me numër serik: T.592372 së bashku me 10 fishekë, si objekt i kryerjes së veprës penale. Të akuzuarit S.B pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi i kthehet shuma e parave prej 10.000.00 (dhjetëmijë) €uro, për shkak se nuk ka bazë ligjore për konfiskimin e tyre përkatësisht nuk është vërtetuar se të njëjtat janë përfituar me vepër penale ashtu që obligohet Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar në Prishtinë që shumën e parave të lartpërmendura t`ia dorëzojë të akuzuarit”, thuhet në arsyetimin e Gykatës.

Po ashtu sipas gjykatës, i akuzuari S.B detyrohet që ti paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 300 (treqind) €uro, si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100 (njëqind) €uro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Arbresh.info/

Të ngjashme