Më 2 maj, në Bruksel, Serbia dhe Kosova pritet të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po i zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se në agjendën e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq do të jetë fillimi i procesit të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ai ka thënë se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 për Asociacionin nuk ishte zbatuar nga Kosova.
Në një intervistë për median sllovake “Dennikn”, Lajçak ka thënë se Serbia i ka kryer obligimet e veta nga ajo marrëveshje.
“Thelbi i asaj marrëveshjeje ishte se Serbia nga njëra anë do të shpërbënte strukturat paralele në Kosovë, kryesisht policinë dhe gjyqësorin, të cilat më pas do të bëheshin pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Dhe në anën tjetër, Kosova do të krijojë një Bashkësi të komunave serbe. Pjesa e parë ndodhi, e dyta jo. Nuk dua të shkoj në të kaluarën dhe të vlerësoj pse ndodhi”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, Lajçak ka thënë se qëllimi i Asociacionit është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe të pakicës serbe në Kosovë.
“Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar tashmë se në fokus të këtij takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë edhe çështja e Asociacionit, përkatësisht prezantimi i draft-statutit të Asociacionit, i hartuar nga Ekipi Menaxhues.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia janë dakorduar me një marrëveshje të arritur në Bruksel në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova thotë se ato kompetenca do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.
Negociatat do të vazhdojnë mes aktivitetesh të intensifikuara diplomatike të partnerëve perëndimorë, në radhë të parë të BE-së dhe SHBA-së.
Këto përpjekje rezultuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit – për të cilën kryeministri Kurti, dhe Vuçiq, ranë dakord për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...
Kurti: Prapa sulmit terrorist në Ibër Lepenc qëndron Millan ...