Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi e ka caktuar për 3 maj seancën dëgjimore të kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, lidhur me mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për.
Seanca dëgjimore e Abazoviqit, i cili gjithashtu mban detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-rus (DF), ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq.
“Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Lekiq në takimin e Komisionit.
Ai pretendon se hapja e kësaj çështjeje “nuk përfaqëson një politikë antishqiptare”.
Fronti Demokratik njoftoi më herët se vendimi për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës paraqet një mundësi për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve në kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe për tërheqjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Abazoviq theksoi se Mali i Zi do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili u zëvendësua në gusht të vitit 2020 pas tre dekadash në pushtet./rel
Barella: Sot kundër një skuadre shumë të fortë dëshmuam se m...
Kurti: Të përkushtuar për të vërtetën dhe për drejtësi për t...
Shpërthimet në Liban, reagon kryeministri izraelit Netanyahu
Raportohet për një lëvizje të mundshme të Zhegrovës në të ar...
Biden pret të hënën homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe...
Finlanda e mbron vendimin për të blerë armë izraelite