Kurti: Zhvillimi i shkencës, domosdoshmëri për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës

18:41 | 25 Prill 2023
K.B

“Zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, transformimin e ekonomisë sonë në një ekonomi të bazuar në dije, të arritura shkencore, përdorim të teknologjive të reja dhe inovacion. Kërkimet në shkencat shoqërore ndikojnë edhe në zhvillimin gjuhësor, social e kulturor të vendit”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Tryezën e Diskutimit të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për draft Programin Kombëtar të Shkencës.

Kryeministri Kurti gjatë adresimit të tij, tha se ky dokument strategjik synon zhvillimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe përkrahës për kërkime shkencore dhe inovacion në Kosovë e me buxhet të veçantë. Ai shtoi se gjithashtu ky program synon gjenerimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit të mbështetur në dije, në njohuri të reja, të arritura shkencore dhe inovacione teknologjike.

Në buxhetin e sivjetmë kemi ndarë 1.25 milionë euro. Për diversitet të ideve në shkencë në vitin e parë të qeverisjes, patëm mbështetur mbi 1000 vajza studente në fushat STEM me mbi 1 milion euro, ndërsa këtë vit dyfishuam mbështetjen financiare në 2 milionë euro. Gjatë këtyre dy viteve, pra gjithsej kemi përkrahur 2748 vajza, të cilat studiojnë në fushat STEM. Me Republikën e Shqipërisë do t’i bashkëfinancojmë 16 projekte shkencore, nga 20 mijë euro secila, tha kryeministri Kurti.

Ai më tej tha se në thirrjen e vitit 2022 nga Komisioni Evropian, janë përzgjedhur për financim gjithsej 14 projekte nga Kosova për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë, një projekt ‘zhanmone’ dhe 9 projekte në fushën e arsimit profesional dhe si rrjedhojë, 24 projekte nga Kosova janë përfituese të skemave të programit ‘Erasmus+’ për arsimin e lartë dhe atë profesional.

Po ashtu, kryeministri Kurti përmendi se rreth një vit më parë, ne u bëmë anëtarë të ‘Horizon Europe’, që ka hapur mundësitë për qasjet në fondet e Bashkimit Evropian. Nga ky program kemi fituar 5 projekte në vlerë rreth 600 mijë euro.

Aktualisht jemi duke pilotuar Sistemin Informativ Kërkimor të Kosovës KRIS, që do të mbështesë kërkimin përmes një infrastrukture të ndërlidhur, financimit të shtuar dhe bashkëpunimit vendor e ndërkombëtar në projekte shkencore, tha Kryeministri, duke vlerësuar se edhe rekomandimet, që do të jepen në këtë diskutim, do t’i shërbejnë krijimit të një baze të shëndoshë për zhvillimin e shkencës, thu8het në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme