Google ADS

Sfida e parë që i pret kryetarët e rinj të komunave veriore

09:52 | 24 Prill 2023
A Z

Katër kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës e pranojnë se do ta kenë të vështirë qasjen në zyrat e tyre të reja, pasi shumica gjenden në objektet e strukturave paralele komunale serbe.

Ata thonë se janë të vetëdijshëm për sfidat, por presin ndihmën nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë nisjen e punës së tyre.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe politologu serb, Ognjen Gogiq, thonë se pengesat e para me të cilat do të ballafaqohen këta kryetarë të zgjedhur, do të jenë qasja në objektet komunale, dhënia e betimit solemn dhe ushtrimi efektiv i mandatit.

Në zgjedhje e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetar të këtyre komunave të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kanë garuar nëntë shqiptarë dhe një kandidate nga komuniteti serb.

Sipas rezultateve preliminare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi, kanë fituar në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht në Leposaviq. Ndërkaq, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kanë fituar në Zubin Potok, përkatësisht në Zveçan.

Në zgjedhjet e 23 prillit, në të katër komunat, kanë votuar 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues prej 45.095 qytetarëve me të drejtë vote.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka refuzuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje, ndërkaq pjesëtarët e komunitetit serb në komunat veriore të vendit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të autoriteteve të Prishtinës për të dalë në votime.

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, të dielën, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje. Ai nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetarët e zgjedhur më 23 prill, janë legalë, por nuk kanë legjitimitet praktik dhe përfaqësues, për shkak se nuk kanë marrë vota nga komuniteti serb, i cili është shumicë në katër komunat në veri të vendit.

Sipas tij, problemi i parë me të cilin do të ballafaqohen kryetarët e rinj, do të jetë qasja fizike në objektet e komunave, në shumicën e të cilave janë të vendosura edhe strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

“Afati 30 ditor, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, është relativisht i shkurtër. Në rast se nuk gjendet ndonjë modalitet kreativ, unë besoj që do ta ketë tejet të vështirë secili nga katër kryetarët e rinj që në objektin komunal, përkatësisht në kuvendet komunale, të arrijnë të japin betimin. Pra, është tejet e vështirë – për të mos thënë e pamundur – që këta kryetarë të arrijnë që këtë vullnet qytetar, të komunitetit shqiptar në këto komuna, në praktikë, ta materializojnë dhe ta jetësojnë në praktikë, duke funksionalizuar institucione dhe duke dhënë shërbime”, thotë Cakolli.

Ai shton se edhe nëse kryetarët japin betimin, ky do të jetë një formalitet, i cili në praktikë nuk do të ketë fare efekt.

Mendim të ngjashëm ka edhe politologu Ognjen Gogiq. Ai vlerëson se sfidë e madhe do të jetë kompletimi i asambleve komunale, para të cilave kryetarët, ligjërisht, duhet ta bëjnë betimin.

Në rast se cilido kryetar i zgjedhur nuk arrin ta kryejë këtë procedurë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, atëherë sërish shkohet në zgjedhje.

“Madje, edhe nëse ndodh që ata marrin detyrën dhe shpallen zyrtarisht kryetarë të komunave, atëherë shtrohet çështja se si do të punojnë në ato komuna, marrë parasysh që në to nuk ekzistojnë më kuadrot, nuk ekziston pjesa e shërbyesve. Të gjitha ata kanë dhënë dorëheqje. Kështu që, kur ata do të duhej të udhëhiqnin ato vetëqeverisje lokale në ato komuna, ata nuk do të kenë në kë të mbështeten për t’i zbatuar vendimet. Nuk kanë as objekte, sepse në disa prej këtyre komunave, ata i ndajnë hapësirat me organet e përkohshme që punojnë sipas sistemit serb”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Të ngjashme