Google ADS

Pse duhen shumë muaj që tanket perëndimore të arrijnë në vijat e frontit në Ukrainë?

08:04 | 24 Prill 2023
L G

Gjashtë tanke “Leopard 2” u larguan nga Spanja dhe do të arrijnë në Ukrainë në më pak se një javë, tha këtë fundjavë ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë muajin e ardhshëm trajnimin e forcave ukrainase në tanket e tyre Abrams, duke kërkuar t’i fusin ato në fushën e betejës kundër Rusisë përpara fundit të verës.

Por edhe me dërgesat dhe trajnimet në vazhdim, mjetet luftarake të dhuruara nga aleatët e NATO-s në Ukrainë nuk do të kenë një ndikim të menjëhershëm në luftën me Rusinë, paralajmërojnë ekspertët, raporton cnn.

Tanket moderne kryesore të betejës janë pjesë të ndërlikuara të armatimit. Me pamje të frikshme nga jashtë, efektiviteti i tyre gjendet në sistemet e sofistikuara elektronike dhe kompjuterike. Këto sisteme gjejnë objektivat kryesore në fushën e betejave dhe më pas i shkatërrojnë, transmeton Telegrafi.

Mirëmbajtja e tankeve, riparimi i tyre dhe furnizimi me pjesë të nevojshme kërkon trajnime të detajuara nga ekuipazhi i automjeteve deri te shtegu i logjistikës që i mbështet ata, qindra ose ndoshta mijëra kilometra nga vijat e frontit në lindje të Ukrainës.

“Unë do të thosha se aftësia për të trajnuar ushtarët ukrainas për të mbështetur çdo tank që u jepet është pothuajse më e rëndësishme se lloji i tankut që ata përdorin”, tha Nicholas Drummond, analist i industrisë së mbrojtjes në luftën tokësore dhe një ish-oficer i ushtrisë britanike.

Përveç kohës së nevojshme për të trajnuar luftëtarët, tanket duhet të mirëmbahen, thanë zyrtarët, që nënkupton menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.

Për shkak se Abrams është i prodhuar nga Amerika, për shembull, ai ka “një bisht logjistik shumë të gjatë që shtrihet deri në SHBA”, tha Drew Thompson, studiues i lartë në Shkollën e Politikave Publike në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

Komponentët kryesorë që konsumohen ose dëmtohen në betejë do të duhet të zëvendësohen me pjesë amerikane, të cilat do të duhet të dërgohen në një depo riparimi në Ukrainë ose ndoshta në Poloni, e cila është në proces të blerjes së flotës së saj të Abrams.

Thompson tha se Pentagoni është i mirë në zgjidhjen e çështjeve të vështira logjistike, “por rreziku është i lartë si për SHBA-në ashtu edhe për Ukrainën”.

“Të jesh në gjendje të mbështesësh Leopardët nga një bazë logjistike evropiane është padyshim e preferueshme”, tha Thompson, duke iu referuar modelit të tankeve të përdorura në 13 vende evropiane.

Numri i madh i Leopardëve në dispozicion e bën më të lehtë procesin e mbështetjes, sipas Drummond, i cili është këshilltar i prodhuesit të tankeve gjermane. Më shumë se 4000 prej tankeve janë në shërbim, dhe kjo do të thotë se “pjesë këmbimi janë lehtësisht të disponueshme nga burime të shumta”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme