Në Kamenicë u mbajt sot Akademia Përkujtimore dhe u bë zbulimi i shtatores së Heroit të Kosovës, Isa Kastrati, në 24-vjetorin e rënies së tij.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte i ftuar për të marrë pjesë në këto aktivitete të organizuara nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në bashkëorganizim me OVL të UÇK-së, dega në Kamenicë, në kuadër të Manifestimit “Lulëkuqet e Prillit”.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm, kryeministri Kurti i është drejtuar familjarëve të dëshmorit Isa Kastrati dhe të pranishmëve tjerë, përmes një letre, që u lexua nga zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Lidiona Marovca, thuhet në komunikatën për media, përjell Arbresh.info
Letra e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Kryetar i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj,
Të nderuar familjarë të dëshmorit Isa Kastrati,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe të nderuar veteranë dhe invalidë të luftës së UÇK-së,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që bashkë me përshëndetjet e mia, t’ju përcjellë dhe fjalën time në këtë përvjetor të 24-të të rënies së dëshmorit Isa Kastrati, aty mes jush, në shtëpinë e kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë, ku jeni mbledhur për ta kujtuar veprën patriotike të këtij personaliteti të lindur në anët tuaja, e të rëndësishëm për të gjitha anët e vendit tonë. Dëshmorin Isa Kastrati më ka rastisur ta njoh personalisht qysh kur isha adoleshent. Ndërkaq, hera e fundit që e kam parë, ishte në një ditë të vranët në selinë e UÇK-së në Prishtinë, kur teksa po dilte jashtë saj, më tha: “Erdha me i tregu Bacës Adem që po shkoj në front”. Ai ishte nisur të luftonte për çlirimin e Kosovës nga Serbia!
Isa Kastrati e kishte njohur Adem Demaçin fare herët, meqë kishte qenë me grupin e tij të të dënuarve politik me burgim. Isa u dënua dhe u ridënua sërish disa herë, duke mbajtur mbi 10 vite e gjysmë burgim. Edhe pas daljes nga burgu, në korrik të vitit 1986, ai mbahej nën vëzhgim nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
Pas zhvendosjes në Prishtinë, Isa e ktheu shtëpinë e tij në hapësirë për Gjimnazin “Dr. Ali Sokoli”. Gjatë viteve ’90-të, ai qe shumë i angazhuar në aktivitete politike, derisa edhe iu bashkua grupeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas shpërthimit të luftës në Drenicë, Isa organizoi Këshillin e Emergjencës në Prishtinë për pritjen e refugjatëve të zhvendosur brenda Kosovës.
Isa Kastrati u vra në luftime me forcat serbe 24 vite më parë, më 22 prill 1999, në Bullaj të Marecit në Malësinë e Gollakut. Ai ra dëshmor bashkë me Afrim Vitinë dhe Sokol Sopin. Duke kujtuar jetën e këtij aktivisti të lirisë së popullit të tij, pranoni konsideratat e mia më të larta për këtë luftëtar për çlirimin e Kosovës. Lavdi veprës patriotike të dëshmorit Isa Kastrati dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! Ju faleminderit!
Hetimi i brendshëm konstaton mangësitë në atentatin ndaj Tru...
Begaj në Ditën e Paqes: Bota është trazuar në mungesë të saj
Sulmuan fizikisht zyrtarët policorë, arrestohen tre persona ...
Sekuestrohen barna pa banderola me vlerë 1500 euro, arrestoh...
Serbia përgatit 500 trupa për ndërhyrje në veri, Shala: Nuk ...
PSG refuzon t’i paguajë shifrën marramendëse Mbappes