Pritjet e gjata për trajtim mjekësor, mungesa e barnave esenciale, trajtimi apo sjellja jo e mirë nga stafi, janë disa nga ankesat kryesore të qytetarëve në Kosovë.
Kështu thotë për Arbresh.info kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra .
Kodra thotë se të drejtat e pacientëve në Kosovë nuk respektohen sa duhet, kjo sipas tij, për shkak të kushteve të pamjaftueshme në shëndetësi.
“Ankesat më të shpeshta të pacientëve kanë të bëjnë me komunikimin me stafin shëndetësor dhe pacientët, me çështjet etike, gabimet mjekësore që pacientët i përjetojnë gjatë trajtimit mjekësor, mungesa e barnave esenciale. Respektimi i të drejtave të pacientëve në Kosovë është larg, kjo për shkak të kushteve të pamjaftueshme në shëndetësi, shkak tjetër është edhe raporti në mes të personelit shëndetësor dhe pacientëve, këto janë disa prej arsyeve që bëjnë që të drejtat e pacientëve të mos respektohen”, thotë Kodra.
Tutje ai shprehet se duhet të krijohen mekanizmat për mbrojtjen e pacientëve, në mënyrë që ankesat e tyre të trajtohen.
“Duhet të krijohen mekanizmat për mbrojtjen e pacientëve nga abuzimet e ndryshme qoftë stafi shëndetësor qoftë kompaninë e branave, edhe kur pacientët kanë mundësi që me e bë një ankesë dhe ankesa e tyre të trajtohet në afat, atëherë mundësia është që ata të mbrohen më mirë nga rreziku ose padrejtësitë që i kanosen”, thekson ai.
Se të drejtat e pacientëve në Kosovë nuk respektohen mjaftueshëm, e thotë edhe njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija.
Ai thotë se të drejtat e pacientëve në Kosovë janë të garantuara me ligj, por ato nuk respektohen në tersi.
“Të drejtat e pacientëve në Kosovë të cilat janë të garantuara me ligj dhe me kartën e të drejtave, fatkeqësisht nuk është se respektohen në tërësi”, thotë Vitija.
Vitija renditi disa arsye kur pacientëve iu shkelen të drejtat e tyre.
“Duke filluar nga qasja në shërbime shëndetësore, siguria në shërbime, trajtimi me barna, kushtet e duhura për trajtim, mungesë informimi etj. Të gjitha këto nuk ofrohen gjithmonë për pacientët në spitalet e Kosovës. Shpesh pacientët nuk kanë qasje në shërbime për arsye të ndryshme, nuk kanë siguri dhe mungojnë barnat ose kushtet për trajtim”, u shpreh ai.
Qytetarja F.S flet për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, duke u ndërlidhur me të drejtat e pacientëve.
Ajo tregon se si kishte shkuar në një prej ambulanteve pasi ishte me grip, dhe infermierja ka kundërshtuar për të ia dhënë injeksionin.
“Kam shkuar në ambulant për të marrë një injeksion pasi isha me grip, infermierja që ishte aty kundërshtoi të ma jepte injeksionin, dhe i tha një praktikantes që të ma jepte. Praktikantja aq sa kisha njohuri unë ishte në fazën e parë të praktikës, dhe unë i thash jo, infermierja pastaj mu drejtua me fjalë ofenduese duke më thënë nëse donë me e marr mirë, nëse jo nuk po më intereson mua, ose dil jashtë se ka edhe pacientë të tjerë duke pritur”, shprehet ajo për Arbresh.info.
Ndryshe, ankesat e pacientëve janë një tregues i rëndësishëm për cilësinë e shërbimeve që ofron një institucion i caktuar shëndetësor./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Tërmeti i fortë godet Turqinë, sa ishte magnituda
Hajnat vjedhin para dhe stoli ari në një shtëpi në Zveqan
Policia gjen drogë brenda burgut të Dubravës
Të shtëna me armë zjarri në Malishevë, policia arreston tetë...
Zhduket një vajzë në Prizren
Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë, rasti po het...