Google ADS

QKUK s’ka dhomë izolimi për Radiojod, qytetarët paguajnë mijëra euro jashtë Kosovës

10:04 | 22 Prill 2023
K.B

Në klinikën e Mjekësisë Nukleare në Qendrës Klinike universitare të Kosovës (QKUK), trajtimi me metodën radioaktive për personat të cilët kanë probleme me gjëndrën tiroide vazhdon të jetë sfidues, qytetarët këtë shërbim mund të marrin vetëm jashtë Kosovës, pasi që Klinika e Mjekësisë Nukleare, nuk e posedon dhomën e veçantë të izoluar, në të cilën mund të marrin Radiojod terapinë.

Qytetarët këtë shërbim mund ta marrin vetëm jashtë kufijve të Kosovës, siç janë: Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Turqia. Atje ky shërbim qytetarëve u kushton mbi 3 mijë euro.

S.Z, e cila kishte probleme me gjëndrën tiroide, pas operimit që bëri, iu rekomandua nga mjekët në QKUK me urgjencë që të marrë terapinë me jod, po ashtu asaj iu dha edhe dokumenti në të cilin thuhej se kjo terapi nuk mund të aplikohet në QKUK, por vetëm jashtë vendit.

Ajo, tregon se kjo terapi në Maqedoni i kushtojë mbi 3 mijë euro.

“Jam operu nga gjëndra tiroide mandej më është rekomandu nga QKUK marrja e jodit radioaktivë jashtë Kosovës me dokument nga QKUK, kjo procedurë më ka kushtu mbi 3 mijë euro,”, tregon ajo.

Se kanë mungesë të dhomave së veçantë për marrjen Jod Radioaktiv, e konfirmon për Arbresh.info edhe drejtori i Mjekësisë Nukleare në QKUK, Fakir Spahiu.

Spahiu, thotë se këto dhoma duhet të jenë të izoluara, dhe se pacienti duhet të qëndrojë aty në izolim 48 deri në 72 orë.

“Sa i përket dozave të larta që përdorën për trajtim të pacientëve më Karcinoma të Gjëndrës Tiroide ne ende nuk mund t’i aplikojmë sepse nuk i kemi dhomat për trajtim të këtyre pacientëve. Dhomat të cilat duhet të jenë në Mjekësi Nukleare duhet të jenë të izoluara me standarde të IAEA që duhet të izolohen për trajtim të pacientit me doza të larta (deri në 100, 150 apo deri në 200 mCi sipas nevojave të pacientit dhe stadit të karcinomës) i cili duhet të qëndroj në izolim 48 deri 72 orë në ato dhoma’, thotë ai.

Në Mjekësinë Nukleare në QKUK, metoda e kryerjes së analizave për ekzaminimin e këtij problemi shëndetësor, i cili shkakton çrregullime endokrine po bëhet me përdorimin e materialit radioaktiv.

Spahiu, thekson se ka raste kur ballafaqohen me mungesë të furnizimit me këtë material.

“Shërbimi Klinik i Mjekësisë Nukleare furnizohet me Jod Radioaktiv vetëm për rastet që janë të diagnostifikuara me Hipertireoze(Tireotoxikoze) dhe nuk mund të furnizohemi me doza më të larta se 15mCI apo 550 MBq, sepse ne jemi të Licencuar nga Agjensioni për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore vetëm për doza të cilat i përdorim te pacientët me problem të Hipertireozes që ka rezistencë në terapinë e përcaktuar nga mjeku Ordinues në këtë rast Endokrinologu”, shprehet Spahiu për Arbresh.info.

Sipas tij, problem për ta vazhdon të jetë edhe mungesa e punëtorëve shëndetësor, pas pensionimit të dy prej teknikëve, e megjithatë sipas Spahiut të gjitha shërbimet kryhen në kohë.

“Ne në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare kemi staf që mund t’i kryejmë të gjitha shërbimet por me shkuarjen në pension të 2 teknikëve ne tani po e ndjejmë mungesën, kemi kërkuar staf dhe po presim që kërkesa e jonë të realizohet sa më shpejtë. Por me angazhimin e përbashkët ne po ja dalim t’i ofrojmë shërbimet edhe me këtë staf që e kemi aktualisht në Mjekësi Nukleare”, tregon Spahiu.

Ndryshe, trajtimi me jod radioaktiv është trajtim për tiroiden dhe disa lloje të kancerit të tiroides.

Trajtimi me jod radio aktiv përfshin marrjen e tij në formë të lëngshme ose në formë kapsule, gjatë trajtimit trupi merr veti radioaktive, kjo është arsyeja se përse duhet të bëhet në izolim total.

Gjëndra tiroide është një prej organeve më të rëndësishme në trupin e njeriut e cila gjendet në pjesën e përparme të qafës dhe njëherësh njihet edhe si një lloj organi përgjegjës për secilën qelizë në organizëm. ./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme