SHBA sanksionon rrjetin që mbështet programin e dronëve iranianë

20:13 | 19 Prill 2023
E.H

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një rrjet të kompanive dhe furnizuesve – shumica me seli në Kinë – që Departamenti i Thesarit tha se mbështesin industrinë e prodhimit të dronëve iranianë.

Sanksionet e reja synojnë të rrisin presionin ndaj Teheranit për të ndalur furnizimin e Rusisë me dronë, pasi që Moska i përdor këta dronë në luftën kundër Ukrainës, përfshirë edhe për sulmet ndaj infrastrukturës kritike civile.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se sanksionet shënjestrojnë një individ – iranianin Mehdi Khoshghadam që drejton kompaninë Pardazan System Namad Arman (PASNA) – dhe gjashtë entitete. Vetë PASNA veçse ka qenë e përfshirë në listën e sanksioneve amerikane.

Khoshghadam si udhëheqës i PASNA-s “është përgjegjës për përpjekjet e kompanisë për të shmangur sanksionet”, tha Thesari, duke shtuar se ai “kishte blerë një sërë komponentësh elektronikë nga furnizues të huaj, kryesisht me seli në Kinë”.

Thesari tha se në listën e sanksioneve ka vendosur katër furnizues kinezë: Jotrin Electronics, Arttronix International, Vohom Technology, dhe Yinke Electronics. Tre prej tyre kanë selinë në Hong Kong.

Po ashtu, kompania me seli në Iran, Amv AJ Nilgoun Bushehr është futur në listën e sanksioneve.

Thesari tha se Khoshghadam kishte marrëveshje me katër furnizuesit kinezë dhe kishte përdorur kompaninë AMV AJ për të blerë pajisje elektronike për PASNA-n.

“Rrjeti i sanksionuar sot ka blerë mallra dhe teknologji për Qeverinë iraniane dhe për industrinë e saj të mbrojtjes, por edhe për programin e dronëve”, tha Thesari më 19 prill.

“Thesari do të vazhdojë të vendosë sanksione ndaj përpjekjeve të Iranit për blerje të pajisjeve ushtarake, që kontribuojnë në pasigurinë rajonale dhe në paqëndrueshmërinë botërore”.

Sipas vendimit, subjekteve të sanksionuara do t’iu ngrihen asetet që i kanë në Shtetet e Bashkuara./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme