Google ADS

Mashtrimi me kriptomonedha, Gjykata e Lartë shqiptare i hap rrugë ekstradimit të turkut Ozer

20:48 | 18 Prill 2023
E.H

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë rrëzoi ankimimin e 29 vjeçarit turk Faruk Ozer, i cili kundërshton ekstradimin në vendin e tij.

Ozer, u arrestua në 30 gusht të vitit të kaluar në një nga zonat bregdetare në jug të Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Ai kishte qenë themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, e cila mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit 2021, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë.

Ozer, e kundërshtoi esktradimin në Turqi, me pretendimin se ai po sulmohej politikisht dhe se në vendin e tij i rrezikohej jeta.

I riu turk, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje.

Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”.

Ky njoftim, i vuri ata në alarm, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.

Kamerat e sigurisë në aeroportin e Stambollit, kishin fiksuar Ozerin, ndërsa po linte vendin, duke marrë avionin e linjës drejt Tiranës. Autoritetet turke kërkuan menjëherë ndihmën e homologëve në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm turk bisedoi personalisht në telefon me homologun shqiptar Bledi Çuci.

Policia shqiptare në atë kohë, arriti të zbulonte hotelin ku Ozer kishte qëndruar, pas mbërritjes në Tiranë, por ndërkaq ai ishte larguar. Edhe disa operacione të organizuara nga policia, jo vetëm në kryeqytet, dështuan pa rezultat.

Përpara se të shkonte në zonën bregdetare të Himarës, i riu turk, mësohet se ka jetuar në një shtëpi me qera në zonën e Elbasanit. Përpara se ta arrestonte, olicia kishte së paku dy javë që kishte rënë në gjurmët e tij.

Ozer, kishte mundur të tërhiqte interesin e dhjetra mijëra personave, falë një fushate masive publicitare për blerjen e kriptovalute Dogecoin me rreth një të katërtën e e çmimit, duke premtuar ndër të tjera bonuse të ndryshme mes të tjerash dhe autovetura luksoze.

Shumë prej investitorëve duket se ishin joshur dhe nga mundësia për të investuar në monedhën vendase, “lira”, e cila ishte zhvlerësuar në minimumin historik ndaj euros dhe dollarit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë shqiptare i hap rrugën ekstradimit të tij në Turqi. Sipas Kodit të Procedurës penale, Ministria e Drejtësisë, nis procedurat brenda tridhjetë ditëve nga data që vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë.

Ajo i komunikon shtetit kërkues vendimin, vendin e dorëzimit dhe datën nga fillimi i së cilës do të jetë e mundur të veprohet./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme