Google ADS

Kurti pret në takim De Riun, flasin për zgjerimin e shtrirjes së gjuhës italiane në Kosovë

18:59 | 18 Prill 2023
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, zhvilluan takim me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili shoqërohej nga Majlinda Bregasi, profesoreshë e gjuhës italiane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë takimit u riafirmua vazhdimësia e marrëdhënieve të frytshme ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me fokus të veçantë tek zgjerimi i shtrirjes së gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se, Ambasadori De Riu theksoi se Italia ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej shteteve me kontributin më të madh afatgjatë në Kosovë, që nga prania e qëndrueshme e KFOR-it italian e deri tek mbështetja financiare për projekte e procese të tjera zhvillimore në Kosovë.

Aktualisht, kjo mbështetje pritet të konkretizohet edhe përmes iniciativës së Ministrisë së Jashtme të Italisë për të përkrahur shkollat profesionale në profilin e hotelerisë & turizmit.

Më tej, u diskutua edhe potenciali i zhvillimit të një programi të ri për gjuhën dhe kulturën italiane në Universitetin e Prishtinës, i cili do të kishte në qendër gjithashtu edhe fushën e komunikimit.

Kryeministri Kurti konfirmoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për iniciativat si kjo që vijnë nga shteti mik i Italisë, duke nënvizuar rëndësinë historike, strategjike e kulturore të Republikës së Italisë për Kosovën dhe rrugëtimin e saj./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme