Blerta Zeqiri emërohet drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës

16:43 | 18 Prill 2023
E.H

Regjisorja e njohur shqiptare, Blerta Zeqiri, është përzgjedhur drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes njoftimi të bërë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Nga konkursi ku në garë ishin Visar Krusha e Lum Çitaku, regjisorja e filmit “Martesa” u zgjodh personi që do të jetë në krye të QKK-së për mandatin e ri.

Postimi i plotë:

Blerta Zeqiri nga sot drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Bashkë me ministrin Çeku, në zyrën time pritëm drejtoren e sapozgjedhur të Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisoren Blerta Zeqiri.

Blerta është ndër emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës.

Ajo njihet për cilësinë e krijimtarisë dhe kontributin për zhvillimin e sektorit të filmit. Blerta nisi një angazhim të ri, duke e bartur zërin dhe potencialin e komunitetit brenda institucionit më të lartë të filmit.

Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi.

Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme