Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në Tiranë një takim ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.
Në deklaratën e përbashkët për mediet, Xhaçka tha se “patëm mundësinë të diskutojmë nga afër se si mund të zgjerojmë e thellojmë më tej marrëdhëniet mes vendeve tona, qoftë për sa i përket bashkëpunimit dypalësh, qoftë për sa i përket atij rajonal apo ndërkombëtar”.
“Ky takim, takimet e tjera që do të vijojnë gjatë kësaj vizite, por edhe kontaktet e vazhdueshme të të gjitha niveleve mes dy vendeve tona, janë shprehje e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për të zhvilluar në mënyrë intensive partneritetin tonë strategjik, në dimensionin politik, por edhe gjithë dimensionet e tjera, që ofron ky kuadër partneriteti. Si fillim pata kënaqësinë ta uroj kolegun Radman, për dy arritje të rëndësishme të Kroacisë gjatë këtij viti, siç ishin hyrja në Eurozonë dhe në Shengen”, tha ministrja.
“Ajo çfarë Kroacia ka arritur në vetëm një dekadë pas anëtarësimit në BE, jo thjesht na gëzon si fqinjë të mirë, por na inkurajon dhe na bën optimistë që puna dhe përpjekjet për kryerjen e reformave dhe arritjen e standardeve, shpërblehen”, tha Xhaçka.
Po ashtu, Xhaçka vuri theksin te bashkëpunimi mes dy vendeve për sa i takon procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ecuria e Kroacisë në procesin e integrimit evropian, suksesi i saj, natyrshëm bën që çështjet e bashkëpunimit në fushën e integrimit të jenë në fokus të agjendës dypalëshe. Edhe sot, ne patëm rastin të bisedojmë gjerësisht për procesin e integrimit në BE dhe për ndihmën e këshillat që Kroacia mund të japë në këtë proces”, tha ministrja shqiptare.
“Kolegu Radman më siguroi që Kroacia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE, jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete dhe më lejoni t’ju kujtoj që vetëm pak kohë më parë Kryeministri Rama i ka kërkuar homologut të tij ndihmën e ekspertëve kroatë të integrimit, për ekipin tonë negociator. Por sigurisht, kjo është vetëm një nga çështjet mes nesh. Rritja e thellimi i bashkëpunimit tonë dypalësh, siç e përmenda edhe në krye të fjalës time, zunë vend të rëndësishëm në bisedën tonë”, tha ajo.
“Ne konstatojmë me kënaqësi se në kuadër të partneritetit tonë strategjik, mes dy qeverive tona ekziston një dialog intensiv politik. Në zbatim të këtij dokumenti dhe të Planit të tij të Veprimit, diskutuam sot edhe për një numër aktivitetesh që mund dhe do të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive. Ne kemi tashmë një praktikë shumë pozitive të organizimit të këtyre takimeve me disa nga vendet tona fqinje dhe jemi të mendimit se ato do t’í japin një dimension të ri, më të plotë bashkëpunimit tonë dypalësh në të gjitha fushat”, shtoi Xhaçka.
Gjithashtu, Xhaçka vlerësoi bashkëpunimin ekonomik mes Kroacisë dhe Shqipërisë.
“Për sa i përket bashkëpunimit konkret, ndërkohë që vlerësuam trendin rritës të shkëmbimeve ndamë mendimin që duhet të punojmë më shumë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar. Për këtë arsye, sugjeruam mbajtjen e takimit të 6-të të Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe të një Forumi Biznesi, në gjysmën e dytë të këtij viti mundësisht”, tha ajo.
“Ne shprehëm interesimin tonë për të mirëpritur më shumë investime kroate dhe projekte në sektorë të tillë strategjikë, si energjia, turizmi, infrastruktura, etj. Ndërkohë që konstatuam nevojën për vendosjen e lidhjeve ajrore e detare ndërmjet vendeve tona dhe rëndësinë e ndërmarrjes së hapave konkretë për zbatimin e projekteve me rëndësi strategjike, siç janë Autostrada Adriatiko-Joniane dhe Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, duke shfrytëzuar në këtë rast avantazhet që sjell Gazsjellësi TAP. Në kuadër të bashkëpunimit tonë dypalësh, pata rastin edhe njëherë të falënderoj kolegun Radman, për ndihmën që Kroacia ofroi pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin tonë në vitin 2019, pjesë e së cilës është edhe shkolla 9-vjeçare dhe kopshti ‘Iliria’ në qytetin e Krujës, ndërtuar falë ndihmës kroate, të cilën Ministri do të ketë rastin ta inaugurojë gjatë vizitës së sotme”, u shpreh Xhaçka.
Gjithashtu, Xhaçka tha për sa i përket zhvillimet gjeopolitike në Evropë, Kroacia dhe Shqipëria ndajnë qëndrime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë.
“Diskutuam edhe për zhvillimet gjeopolitike në Evropë dhe pasojat e tyre për rajonin. Vendet tona ndajnë qëndrime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe mbështesin plotësisht e pa asnjë lëkundje sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në kushtet e sfidave të reja, të shkaktuara, të ndikuara, apo të inkurajuara nga konteksti i zhvillimeve në Ukrainë, konstatuam nevojën për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin tonë dypalësh, me fqinjët e njëmendtë në rajon dhe partnerët tanë evropianë dhe në NATO, për t’u përballur me sukses me sfidat e sigurisë të të gjitha dimensioneve”, sqaroi ministrja.
“Në këtë kontekst, vlerësuam qëndrimin e Kroacisë në raport me Kosovën, mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë e jep shtetit të Kosovës që nga pavarësimi, në gjithë procesin e konsolidimit të tij, afirmimit në arenën ndërkombëtare, bërjen pjesë e organizatave ndërkombëtare e rajonale, përfshirë NATO-n dhe BE-në. Unë jam shumë optimiste që bashkërisht do të dimë të punojmë akoma më shumë për të çuar përpara bashkëpunimin mes nesh, në të mirë të popujve tanë, por edhe të rajonit”, tha Xhaçka. /Telegrafi/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...