Në 24- vjetorin e masakrës në fshatin Çikatovë e Vjetër të Komunës së Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te memoriali i ngritur në nderim të të vrarëve.
Duke folur për masakrën e 17 prillit të vitit 1999, Kurti tha se në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, “jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në pesë varreza masive gjithsej mbi 950 shqiptarë”.
“Ata që u vranë këtu në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës. Pra në Rashkë atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politikë të listës serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë, kjo ndodhë pra në Rashkë të Serbisë. E në Rudnicë të Rashkës është një varrezë masive prej të cilës janë ekshumuar edhe shqiptarët e vrarë në Çikatovë të Vjetër nga forcat serbe para 24 vjetëve,” tha kryeministri.
Kurti theksoi se me datën 30 maj bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës është amandamentuar Kodi i Procedurës Penale dhe është mundësuar që kriminelët serbë të gjykohen edhe në mungesë për krimet që i kanë kryer gjatë luftës, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Andaj, ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne nuk e bëjmë së pari një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe ne e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar, që të sjellim drejtësi për ata që derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën e gëzojmë të gjithë ne sot”, tha kryeministri Kurti./Arbresh.info/
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gj...