Tërmeti më vdekjeprurës në historinë moderne të Turqisë ka ringjallur frikën në pjesën tjetër të vendit se Stambollin e pret një katastrofë edhe më e madhe.
Kjo ka bërë që qindra mijëra njerëz të kërkojnë shtëpi më të sigurta.
Rreth 5 milionë njerëz nga gjithsej 16 milionë banorët e qytetit më të madh të Turqisë, Stambollit, jetojnë në shtëpi të rrezikuara, tregojnë të dhënat zyrtare.
Kjo pasi që ato shtëpi ndodhen në një zonë të rrezikuar nga tërmetet, pranë Detit Marmara në veriperëndim të Turqisë.
Që kur tërmeti e shkatërroi pjesën juglindore të Turqisë më 6 shkurt të këtij viti dhe la të vrarë më shumë se 50.000 njerëz, ankthi ka kapluar banorët e Stambollit dhe ua ka ringjallur kujtimet e tërmetit të vitit 1999 që vrau 17.000 persona në këtë rajon.
Në shkurt, dhjetëra mijëra ndërtesa u shembën shkaku i tërmetit.
Kjo bëri që të ngrihen akuza për standardet e ulëta të ndërtimit në të gjithë Turqinë, të cilat u tha se kishin kontribuar në dëmet e pësuara.
Këto akuza nxitën edhe shqetësime për gjendjen e shumë ndërtesave të vjetruara në Stamboll.
Që nga tërmeti, numri i banorëve të Stambollit që kanë kërkuar t’u prishen dhe rindërtohen shtëpitë është trefishuar.
Ndërkohë, këto ngjarje kanë ndikuar që çmimet e banesave me qira të rriten edhe më shumë.
“Isha e vetëdijshme për rrezikun në Stamboll, por kur ndodhi ai tërmet aq i madh, [rreziku] filloi të dukej më real dhe fillova të kisha ankth”, tha Sevgi Demiray, një 25-vjeçare, të cilës iu vranë xhaxhai dhe disa shokë në tërmetin që goditi qytetin Antakya në jug të Turqisë.
Frika se mund të ndodhte edhe një tjetër tragjedi e detyroi atë të largohej nga Stambolli sepse nuk mund ta përballonte financiarisht gjetjen e një apartament të ri atje, tha ajo.
Kjo ndjenjë ishte përhapur në mesin e banorëve të Stambollit edhe pas tërmetit të vitit 1999, por frika nga rreziku ishte zbutur me kalimin e kohës.
Numri i saktë i banorëve që janë larguar nga Stambolli gjatë dy muajve të fundit nuk dihet.
Por, Ayilmazdir, kreu i një shoqate të kompanive që ndihmojnë personat të shpërngulen nga shtëpitë e tyre, tha se 15 deri në 20 njerëz telefonojnë në ditë duke kërkuar ndihmë për shpërngulje.
Ky numër është dukshëm më i madh sesa para tërmetit, kur ai thotë se merrte deri në 5 telefonata në ditë.
Këto shqetësime lidhur me sigurinë e shtëpive vijnë pak para zgjedhjeve të 14 majit, që shihen si sfida më e madhe politike për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë dy dekadave të tij në pushtet.
Sipas një raporti të sizmologëve të vitit 2019, një tërmet me magnitudë prej 7.5 shkallësh – i ngjashëm me atë të muajit shkurt – do t’u shkaktonte dëme të paktën 17 për qind të 1.17 milionë ndërtesave në Stamboll.
Sizmologët thonë se katastrofa e muajit shkurt nuk i ka ndryshuar gjasat që një tërmet ta godasë Stambollin, pasi që Stambolli dhe rajoni i goditur nga tërmeti në shkurt ndodhen në dy zona rreziku të ndryshme.
Megjithatë, shumë banorë thonë se ndihen të bllokuar pasi inflacioni ishte rritur në tetor në mbi 85 për qind, duke e arritur kështu shifrën më të lartë në 24 vjetët e fundit.
Problemit të tyre po u kontribuon edhe mungesa e perspektivës për të gjetur punë diku tjetër, thonë banorët.
Çfarëdo fatkeqësie në Stamboll do të ishte goditje e rëndë për ekonominë e Turqisë duke pasur parasysh se ky qytet është përgjegjës për rreth 41 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm të Turqisë.
Nilay, një nënë e re që po kryen studimet e doktoraturës, dëshiron të largohet nga Stambolli, por ndihet e bllokuar pasi bashkëshorti i saj, shkaku i punës, detyrohet të rrijë në qytet.
Aty, shtëpitë në zonat më të sigurta janë shumë të shtrenjta për ta.
“Është e pamundur të shpërngulesh në vende që thuhet se kanë terren më të fortë për shkak të rritjes së çmimeve pas tërmetit”, tha Nilay, e cila jeton në lagjen me rrezikshmëri të lartë, në Avcilar.
Në shkurt, çmimet e qirave në Turqi ishin 190 për qind më të larta sesa çmimet e një viti më parë.
Shumë prej atyre që nuk kanë mundësi të shpërngulen kanë kërkuar të bëhen studime për ta përcaktuar sigurinë e ndërtesave ku ata banojnë.
Rreth 70 për qind të ndërtesave ishin ndërtuar para se rregullat e ndërtimit të ashpërsoheshin ndjeshëm në vitin 2000.
Rreth 1.5 milion shtëpi konsiderohen të rrezikuara në qytetin e Stambollit, tha këtë javë ministri i Planifikimit Urban, Murat Kurum.
Sipas të dhënave zyrtare, mesatarisht në çdo familje jetojnë më shumë se tre persona, që do të thotë se deri në 5 milionë njerëz jetojnë në shtëpitë e rrezikuara.
Agjencia e strehimit e Stambollit, KIPTAS, thotë se ka marrë mbi 25 mijë aplikime për prishje dhe rindërtim të shtëpive, në krahasim me 8.600 aplikimet para tërmetit.
Megjithatë, vetëm 200 prej këtyre shtëpive kanë arritur deri në fazën e ndërtimit pasi të paktën dy të tretat e banorëve në një ndërtesë duhet të pajtohen me projektin para se ai të mund të niset, tha KIPTAS.
“Fatkeqësisht, frika e shkaktuar nga tërmeti i fundit nuk ishte e mjaftueshme për t’i shtyrë njerëzit drejt një kompromisi dhe për të rënë dakord për rindërtimin e shtëpive të tyre”, tha drejtori i përgjithshëm i KIPTAS, Ali Kurt. “Njerëzit duhet ta pranojnë se shtëpitë e tyre janë të rrezikshme”.
Gjithashtu, më shumë se 150.000 aplikime janë bërë në Stamboll për vlerësim të gjendjes të ndërtesave.
Ky proces pritet të zgjasë një vit. Frika nga rezultatet që mund të dalin nga këto vlerësime po i shqetëson shumë njerëz.
“Kjo ndërtesë e vjetër nuk do të marrë notë të lartë. Nuk ka nevojë të shihet me shkrim”, tha Nurten, 76 vjeç, që jeton në anën aziatike të Stambollit. “Po sikur më vonë të më kërkohet ta liroj pronën time? Nuk mund ta përballoj këtë”/REL
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...