Vaksinimi kundër kancerit në qafën e mitrës (HPV) në Kosovë ka nisur për herë të parë në tetor të vitit të kaluar, ministria e Shëndetësisë pati siguruar 300 doza të kësaj vaksine.
Nga 300 dozat vetëm 70 vajza në Kosovë janë vaksinuar me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), e cila i mbron ato nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës.
Kështu thotë për Arbresh.info Fetije Fetaj, shefe për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
“Nga 300 doza të vaksinave kemi ende në stok. Janë vaksinuar rreth 70 femra deri me tani vullnetarisht”, thotë Fetaj.
Ndonëse janë vaksinuar vetëm 70 vajza dhe kanë mbetur edhe 230 vaksina në stok, këtë vit ministria e Shëndetësisë do t’i sigurojë edhe 5 mijë vaksina (HPV).
Kështu thonë në një përgjigje për Arbresh.info nga Ministria e Shëndetësisë.
Në përgjigjën e MSH-së thuhet se vaksina kundër HPV virusit ka hyrë në Programin e vaksinimit të rregullt në Kosovë, dhe këto vaksina do të jenë në dispozicion për kategorinë qe vaksinohet me këtë lloj vaksine.
“Me Planin e Imunizimit parashihet që numri i këtyre vaksinave sivjet të shtohet në 5 000, pasi që kjo vaksinë është futur në programin e vaksinimit të rregullt në Kosovë. Pra, këto 5000 sivjet do të jenë në dispozicion për kategorinë qe vaksinohet me këtë lloj vaksine”, deklaruan nga MSh për Arbresh.info.
Vaksinat kundër virusit (HPV) që shkakton kancerin e qafës së mitrës, sigurohen përmes UNICEF-it.
Vaksina kundër pipilloma virusit (HPV), është vaksinë e cila mbron vajzat dhe gratë nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës.
Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës te gratë.
Në bazë të studimeve të bëra nga organizata “Cancer Research”, me seli në Britani, vaksina HPV zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.
Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës është bërë e detyrueshme në Shqipëri dhe aplikimi i kësaj vaksine ka nisur për herë të parë në fillim të nëntorit të vitit 2022.
Në Maqedoninë e Veriut, kjo vaksinë është në kalendar, ndërsa nga viti 2013 është obligative për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.
Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV, por vaksina nuk është e obligueshme, është e rekomanduar.
Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme./Arbresh.info/ Ejona Hyseni/
Liderët në tubime të diskutueshme me diasporën
Policia shqiptoi 1 mijë e 650 gjoba brenda një jave në Gjila...
Përplasen Ana e Lela: ”Fol normal”, ”Ti shkon flet cepave me...
Modric reflekton për rrugëtimin e tij në Real Madrid, tregon...
Dita e ndeshjes, Kosova luan vetëm për fitore në udhëtim te ...
Rusia kryen sulm masiv në Odesa, teksa mijëra ukrainas mbesi...