Zgjedhjet lokale të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës konsiderohen si një element shtesë për thellimin e moçalit politik të krijuar në kuadër të bashkëjetesës së shqiptarëve dhe serbëve në një shtet të vetëm.
Vendi po qëndron mes këmbënguljes së institucioneve për të mbajtur zgjedhjet në veri dhe refuzimit apo kokëfortësisë serbe për ta zhvilluar procesin demokratik, ashtu siç parasheh çdo ligj dhe normë juridike, politike a njerëzore në një vend normal e demokratik, të paktën, të pretenduar si të tillë.
Teksa partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, po refuzon vazhdimisht pjesëmarrjen në këto zgjedhje dhe po bën thirrje të vazhdueshme që këto zgjedhje të bojkotohen dhe të mos zhvillohen fare, institucionet e Kosovës po bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë.
Ato veçse kanë filluar përgatitjet për zhvillimin e tyre, duke angazhuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që t’i organizojë ato me gjitha procedurat që nevojiten.
Megjithatë, përkundër indiferencës së treguar nga ekzekutivi i Kosovës, dihet rreziku që vie nga grupet e organizuara kriminale në veri të vendit, të dirigjuara nga Lista Serbe, e të urdhëruar nga shteti serb me Vuçiqin në krye.
Për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, veriu i Kosovës është shndërruar në një teatër të pasigurt, i cili po manifestohet me akte kriminale.
Për Arbresh.info, Shala tha se kjo situatë ka ardhur për shkak të tensioneve të vitit të kaluar me targat.
“Veriu ka marr tani përmasa të një teatrit me perde të kuqe e cila në veti po reflekton pasiguri që po manifestohet në veprime kriminale deri te ato me përmbysje të tentativës së rendit kushtetues. Hyrja në një agjendë të Serbisë përmes veprimeve legale dhe legjitime të institucioneve tona por që na prodhuan 2021/2022 dhe tani 2023 , po e dëshmon një fakt qe ky teatër i kuq është shndërruar në “rulet rus” ku çfarëdo veprimi që ndërmerr do të shpërfaqet në arenën ndërkombëtare respektivisht në “mos” implementimin e planit evropian. Pra në këtë situatë të zgjedhjeve kemi hy si rezultat i 2021 me targa ku tani strukturat e Serbisë po e shantazhojnë Republikën në të gjitha dimensionet”, deklaroi Shala për Arbresh.info.
Sipas tij, këto ‘filma’ të serbëve kanë qëllim shtyrjen e zgjedhjeve të cilat do mundësojnë më pas që Serbia ta argumentojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të kërkojë tërheqjen e trupave të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
“Incidentet e tilla kanë vetëm një qëllim dhe që është: Shtyrja e zgjedhjeve dhe kështu do t’i ipet mundësi që të regjistrohet lista serbe në zgjedhje dhe në anën tjetër Beogradi do e përdor si argument që duhet sa më parë të themelohet ASK-ja dhe në anën tjetër t’i dërgohet mesazh KFOR/EULEX që të detyrojnë PK dhe njësitë e saja speciale të terhjeken nga pikat strategjike”, tha Shala për Arbresh.info.
Për të, është më se e ditur se grupet kriminale serbe, të orkestruara nga Vuçiq, do rezistojnë me tërë forcën për ta kanosur sigurinë në atë pjesë të Kosovës, marrë parasysh edhe veprimet provokuese që kanë bërë javët e fundit.
“Me këto veprime sa me afër datës së zgjedhjeve do të kemi një rezistencë më të lartë të grupeve politike të serbëve dhe atyre kriminale me influencë shtetërore të Serbisë për ta destabilizu vendin”, tha ai për Arbresh.info.
Për analistin politik, Fidan Ukaj, shtyrja eventuale e zgjedhjeve të 23 prillit do nënkuptonte nënshtrim ndaj Listës Serbe dhe strukturave paralele kriminale.
Për të, këto zgjedhje duhet të mbahen jo më vonë se më 23 prill.
“Mendoj se një shtyrje tjetër nuk do t’i kontribuonte stabilizimit të gjendjes në atë pjesë, vetëm sa do t’i rriste kërkesat e Listës Serbe përballë institucioneve të vendit në këmbim të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje, kërkesa të orkestruara dhe dirigjuara nga Beogradi, dhe do të ishte një nënshtrim ndaj Listës Serbe dhe strukturave paralele e kriminale, gjë të cilën institucionet e vendit nuk duhet ta lejojnë dhe zgjedhjet duhet të mbahen”, deklaroi Ukaj për Arbresh.info.
Sipas Ukajt, është e pritshme që shteti serb përmes ‘falangave’ të tyre në veri të Kosovës do të vendos barrikada dhe do të sulmojë zyrtarët policorë, në mënyrë që t’i pengojë këto zgjedhje.
“Serbia, ashtu siç ka qenë destabilizuese dhe mos respektuese e marrëveshjeve te arritura, do të provojë ta përshkallëzojë situatën përmes strukturave paralele e kriminale që i ka në Kosovë, duke provuar të vendosen barrikada, e duke i sulmuar organet e rendit, ashtu siç po ndodh tash e një kohë, me arsyen e vetme për të penguar mbarëvajtjen e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve”, tha ai.
Për të, serbët në veri të vendit duhet të mos hezitojnë votimin e tyre për kandidatët që dëshirojnë, meqë sipas tij, ata i kanë kandidatët e tyre serbë, ndonëse kandidatët e Listës Serbe s’janë në listë.
“Edhe pse Lista Serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje prapëseprapë atje kemi kandidatë të komunitetit serb të cilët po garojnë në këto zgjedhje, dhe qytetarët serbë duhet të dalin për të votuar për kandidatët që ata mendojnë se i përfaqësojnë më së miri”, theksoi Ukaj për Arbresh.info.
Kurse eksponentët e Listës Serbe po vazhdojnë të këmbëngulin në qëndrimin e tyre se nuk marrin pjesë në zgjedhje pa u themeluar Asociacioni dhe pa u tërhequr forcat speciale të Kosovës në këto komuna.
Kjo kërkesë e tyre është intensifikuar pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, më 27 shkurt, respektivisht më 18 mars të këtij viti, marrëveshje në të cilat parashihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar në të kaluarën.
Dihet se ndër këto marrëveshje ka qenë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është nënshkruar në vitin 2015 nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa.
Zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, po organizohen pas dorëheqjeve të katër kryetarëve të këtyre komunave më 6 nëntor të vitit të kaluar.
Këto dorëheqje erdhën pas vendimit të 5 nëntorit nga Lista Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës, ku në to përfshihen edhe dorëheqja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve policorë serbë nga institucionet e Kosovës.
Kjo atëherë u bë për shkak të shkarkimit të ish-drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, me urdhër të nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Gjuriq u shkarkua për shkak të refuzimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ri regjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës./EmirAbduramani/Arbresh.info/
U ofendua nga Edi dhe Driloni, përkeqësohet gjendja shëndetë...
Konjufca pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedon...
Del video ku Edi dhe Driloni kanë ofenduar Sarën
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...