Rreth 16 mijë shqiptarë kërkuan azil në Britani në vitin 2022

09:47 | 12 Prill 2023
A. B.

Mbretëria e Bashkuar është bërë destinacioni kryesor ku shtetasit shqiptarë, sidomos të rinjtë, po kërkojnë që të ikin. Rruga që ata po ndjekin kryesisht është përmes kërkimit të azilit.

Të dhënat përfundimtare të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.

Në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm.

Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit.

Më shqetësuese është përbërja e azilantëve sipas grupmoshave, teksa dukshëm janë moshat e reja ato që duan të ikin nga vendi me çfarëdolloj mënyre.

Të dhënat tregojnë se gati 58 për qind e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-n i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7 për qind e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç, shpesh edhe të pashoqëruar, teksa 42 për qind e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë ndërsa pjesa tjetër kanë qenë në varësi të dikujt tjetër.

Në total, 72 për qind e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç.

Nuk po ikin vetëm të rinjtë. Grupi i dytë më i madh i azilantëve i përkiste grupmoshës 30-49 vjeç, me 27 për qind të totalit, që në një pjesë të konsiderueshme janë familje, që ikin bashkë me fëmijët. Vetëm 1.5 për qind e azilantëve ishte mbi 50 vjeç.

Në dominancë janë meshkujt ata që ikin, me 84 për qind të totalit.

Shqiptarët ishin kombësia më e madhe, që ka aplikuar për azil në Britaninë e Madhe në vitin 2022, duke zënë 18 për qind të totalit nga e gjithë bota.

30 mijë aplikime për azil në Evropë në 2022

Sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Evropian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16 për qind.

Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Evropë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.

Rekordi i aplikimeve vijon të mbetet viti 2015, me rreth 69 mijë shtetas që kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa 2022-i është viti i tretë më i lartë, pas fluksit të 2015-2016. Ndërsa vetëm në Mbretërinë e bashkuar aplikimet janë në një rekord historik të të gjitha kohërave. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme