Vrau dy motrat në Astir, Apeli jep vendimin për Përparim Ademin

14:54 | 11 Prill 2023
E.H

Lihet në fuqi dënimi me burg të përjetshëm për Perparim Ademin, personin që vrau 2 motrat në dhjetor të vitit 2020 në Astir, Shqipëri.

Vendimi u dha këtë të martë nga gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga vetë Ademi me qëllim prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

Avokati i Ademit kërkoi që Apeli të caktonte një grupi ekspertësh, për të përcaktuar gjendjen mendore të të pandehurit dhe caktimin e masës mjekësore të shtrimit në spitalin psikiatrik.

Në përfundim të gjykimit, këtë të martë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Valdete Hoxha dhe anëtare Vojsava Osmanj dhe znj. Lutfije Celami, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 2028, datë 20.09.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku i pandehuri dënohet me burgim të përjetshëm.

Kujtojmë se Përparim Ademi, ekzekutoi dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani më 31 dhjetor të vitit 2020, me të cilat ishte në marrëdhënie jashtëmartesore./euronews.al

Të ngjashme