Çeku: Letra e FFS-së drejtuar UEFA-s shkel marrëveshjen e fundit me Kosovën

10:58 | 11 Prill 2023
E.H

Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka publikuar një letër që Federata e Futbollit të Serbisë i ka dërguar Presidentit të UEFA-s, në të cilën ka përdorur gjuhë fyese ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës.

Çeku, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se federata e sportit të Serbisë ka organizuar aktivitete ilegale brenda territorit të Kosovës ani pse janë të ftuar nga FFK që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të shtetit, përcjell Arbresh.info.

“Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut. Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese”, ka shkruar Çeku.

“Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë. Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Tutje, Çeku shtoi se në marrëveshjen e fundit mes Kosovës e Serbisë, parashihet marrëdhënie e barabartë dhe fqinjësi e mirë.

“Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht”, shkroi Çeku.

Në fund, ai paralajmëroi së nuk do të tolerojë aktivitetet ilegale që shkelin rendin e vendit.

“Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat europiane e botërore të sportit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës”, tha në fund Çeku./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme