Në fund të prillit dhe në fillim të muajit maj, pritet të merret vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për dekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, tha Kupina për Arbresh.info.
Ka një vit që Kosova ka mbetur pa Kryeprokuror të Shtetit.
Aleksandër Lumezi nga prilli i vitit të kaluar nuk është më në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por që nga atëherë, ende nuk ka pasur zëvendësim të tij në këtë pozitë, e cila përkundër rëndësisë që ka, ka mbetur e zbrazët.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka kohë që e ka dërguar emrin e prokurorit Blerim Isufaj, i cili më 6 prill 2022 ishte votuar në mënyrë unanime nga KPK për t’u emëruar në këtë pozitë, raporton “Arbresh.info”.
Megjithatë, tash e një vit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ende nuk ka vendosur ta dekretojë Isufajn për Kryeprokuror.
Pra, ajo as nuk e ka kthyer mbrapsht emrin e Isufajt, e as nuk ka vendosur për dekretimin e tij si Kryeprokuror.
Kjo ‘zvarritje’ sipas Presidencës, është bërë për shkak se procesi nuk është i ligjshëm sa duhet, për faktin se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri është kontestuar nga disa kundërkandidatë.
Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, për Arbresh.info ka deklaruar se në muajin maj, Presidenca do të merr një vendim për dekretimin apo refuzimin e emrit të Isufajt për këtë pozitë, meqenëse në fund të prillit përfundojnë procedurat gjyqësore që kundërkandidatët i kanë të hapura.
“Presidentja e ka sqaruar publikisht se duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, tha Kupina për Arbresh.info.
Në lidhje me kontestimin e kundërkandidatëve të Isufajt, Shqipdon Fazliu ka qenë një ndër ta, i cili pretendonte se Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë procesit të zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ka shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën në mjet juridik, të drejtën për barazi para ligjit, të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të drejtat për mbrojtje gjyqësore e të drejtave të Kushtetutës së Kosovës si dhe të drejtat tjera të përcaktuara me Ligj dhe Konventa ndërkombëtare.
Pretendimet e prokurorit Fazliu, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit nga KPK-ja, në shtator të vitit të kaluar i kishte hedhur poshtë Gjykata e Apelit.
Arbresh.info ka tentuar të bisedojë me të dhe avokatin e tij, Flakron Sylejmani, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Veçse dihet se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit nuk është i kufizuar në asnjë afat kohor e as kushtetues, pra presidentja e vendit nuk e ka të caktuar afatin përfundimtar për dekretimin e kësaj pozite, bazuar në propozimin që i jepet nga KPK-ja.
Pikërisht KPK-ja, në lidhje me këtë çështje të mërkurën iu drejtua me një kërkesë Presidencës, për dekretimin e Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në kërkesën e tyre thuhet se janë shterur të gjitha rrugët ligjore për vërtetimin e legjitimitetit të rekrutimit të Isufajt për këtë pozitë.
“Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në kërkesën e këtij institucioni.
Sipas Presidencës, kjo kërkesë e KPK-së është asgjë më pak se manipulim i të vërtetës dhe nuk i kontribuon forcimit të sistemit prokurorial.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, deklaroi për Arbresh.info se kompetencat e KPK-së përfundojnë në momentin e propozimit të emrit të kandidatit të ri. Andaj, më s’kanë pse të reagojnë për këtë çështje.
Presidenca: Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative
“Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kreprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Këtu përfundon kompetenca kushtetues dhe ligjore e KPK-së. Prandaj, konsiderojmë se shkresat dhe kërkesat e tilla, të cilat në formë ultimative paraqiten nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes, nuk kanë asnjë bazë normative ligjore”, deklaroi ai.
Kupina tha se kërkesa e KPK-së është e pasaktë, dezinformuese, manipulative dhe si e tillë, është skandaloze, e cila me keqinterpretimet e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Supreme që përmban në të, cenon pavarësinë e vet këtyre gjykatave.
“Konsiderojmë se Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative. KPK-ja me shkresën e saj dezinformon publikun se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur lëndën “të pabazuar”, gjë që nuk është e vërtetë, sepse Kushtetuesja ka nxjerrë vetëm aktvendim për papranueshmëri për shkak të mos shterjes së mjeteve juridike”, tha Kupina.
Sipas tij, KPK-ja po dezinformon edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, duke konstatuar se ai vendim “ka vërtetuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim” dhe se “nuk ka gjetur shkelje formale e materiale të procedurës së rekrutimit”.
“Kjo është e pavërtetë, sepse vendimi i Gjykatës Supreme thjeshtë ka vërtetuar vendimet e gjykatave më të ulëta për paafatshmërinë e paraqitjes së padisë, por nuk i ka vlerësuar pretendimet për shkelje në procesin e emërimit të Kryeprokurorit. Kërkesa të tilla me përmbajtje të tillë skandaloze të bazuara në të pavërteta, janë në kundërshtim me parimin e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial, e për më tepër në kundërshtim me kushtetutën, sepse kanë keqinterpretuar vendimet e gjykatave të rregullta. Kjo cenon rëndë pavarësinë e këtyre gjykatave dhe vendos opinionin publik në lajthitje”, theksoi ai.
Më tej, këshilltari i presidentes theksoi se KPK-ja duhet të angazhohet në “përmirësimin e sistemit të drejtësisë, e jo avancimin e agjendave apo interesave të caktuara personale apo grupore”.
“Konsiderojmë se edhe KPK-ja, sikundër edhe secili institucion tjetër i drejtësisë duhet ta ketë mision parësor dhe të vetëm përmirësimin e sistemit të drejtësisë, e jo avancimin e agjendave apo interesave të caktuara personale apo grupore. Presidentja nga ana tjetër, e konsideron këtë mision të shenjtë dhe nuk ka asnjë formë presioni që do ta dekurajojë nga ky mision”, përfundoi Kupina për Arbresh.info.
Ndërkohë, nga monitorimet e këtij procesi që janë bërë nga organizatat e shoqërisë civile, është thënë se në përzgjedhjen e Isufajt si kandidat për Kryeprokuror, ka pasur numër të konsiderueshëm të problemeve dhe parregullsive, të cilat si të tilla, e cenojnë vetë integritetin e këtij procesi të rëndësishëm.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), për Arbresh.info patën thënë se assesi s’bën që Kryeprokurori i ri të dal nga një proces i kontestuar dhe sipas tyre, presidentja Osmani duhet të kujdeset që Kryeprokurori i ri të mos dal nga një proces i tillë.
Pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga prilli i vitit të kaluar po e ushtron Besim Kelmendi, i cili është zgjedhur nga KPK-ja si ushtrues detyre i kësaj pozite, pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit.
Ndryshe, Kryeprokurori i Shtetit ka mandat 7-vjecar dhe ka për detyrë që të nxjerr me shkrim rregulla, udhëzime dhe vendime të përgjithshme të detyrueshme për të gjithë kryeprokurorët dhe prokurorët me qëllim të zbatimit të ligjshmërisë, ngritjes së efikasitetit dhe zbatimit unik të praktikave dhe legjislacionit, të mbikëqyr zbatimin e udhëzimeve dhe akteve të tjera, t’i propozojë Këshillit për miratim rregullat mbi veprimtarinë dhe udhëheqjen e evidencës në prokurori, kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj.
Me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës ose për arsye të tjera të rëndësishme, Kryeprokurori i Shtetit në bazë të një vendimi me shkrim, mund të marrë nën juridiksion cilindo rast në cilëndo prokurori në Republikën e Kosovës, ose ta ricaktojë atë te një prokuror tjetër./ Arbresh.info /Emir Abduramani/
U ofendua nga Edi dhe Driloni, përkeqësohet gjendja shëndetë...
Konjufca pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedon...
Del video ku Edi dhe Driloni kanë ofenduar Sarën
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...