Google ADS

Gjuha shqipe në kurrikulën e Harvardit, Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri: Mësohet në disa universitete të zgjedhura amerikane

15:06 | 8 Prill 2023
A. B.

Studentët e Universitetit të Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë kanë mundësi të zgjedhin të studiojnë Gjuhën Shqipe, pasi zyrtarisht ajo është pjesë e kurrikulave të gjuhës.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook në faqen zyrtare, MEPJ thotë se Gjuha Shqipe konsiderohet si një nga gjuhët më të vjetra në familjen e gjuhëve indo-evropiane.

Sipas tyre, Gjuha Shqipe mësohet në disa universitete të zgjedhura amerikane.

“Këtë semestër studentët e Universitetit të Harvardit mes gjuhëve të tjera do të kenë mundësi të studiojnë edhe gjuhën shqipe.

E konsideruar gjerësisht si një nga gjuhët më të vjetra në familjen e gjuhëve indo-evropiane, e ndryshme dhe e vetmja përfaqësuese e një dege të veçantë të gjuhëve indo-evropiane, gjuha shqipe mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane si në Universitetin shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në Dobbs Ferry, Nju Jork, tashmë edhe në Universitetin e Harvardit”, kanë shkruar nga kjo ministri. /Arbresh.info/

Të ngjashme