Është zhvilluar sot ceremonia e dhënies së gradave ushtarake kolonel për shtatë sportistët elitar të Shqipërisë dhe Kosovës, ku të pranishëm kanë qenë Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe drejtues të lartë të ushtrisë.
Në fjalën e tij në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e evropianë, të cilët prej sot do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Rama u shpreh se pagat e ushtarëve do të jenë të njëjta me pagën mesatare të ushtarëve të NATO-së.
Ai tha se pagat e Forcave të Armatosura janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten në vitet e ardhshme.
“Vijmë sot këtu për të kurorëzuar një përpjekje që ka filluar prej kohësh, duke u dhënë dorën sportistëve tanë më të mirë dhe duke u bërë të mundur atyre që të ndihen ngrohtë në vendin e tyre. I kemi rritur pagat e forcave të armatosura dhe do të vazhdojmë t’i rritim. Ushtarakët tanë do të paguhen me mesataren e lartë të NATO-së dhe kjo do të ndodh jo pas 10 vitesh por në pak vitet në vijim”, tha ai.
Ndërkohë, kryeministri Rama pranoi se sportistët shqiptarë janë larguar edhe për një palestër që ka munguar. Ai theksoi se ka hequr nga supet një barrë të trashëguar nga qeveritë shqiptare.
“Sot, unë jam i lehtësuar që kam hequr këtë barrë nga kurrizi, që e kishim trashëguar nga e shkuara. Nuk e ulim kokën nga turpi për keqtrajtimin dhe harresën ndaj tyre. Na ka ndodhur në të shkuarën që djem të përkushtuar kanë ngritur flamuj të tjerë, sepse shteti nuk i jepte mundësi për të ngritur flamurin tonë kombëtar. E bënë këtë për një palestër, për një trajtim ushqimor dinjitoz, për një trajner të motivuar, për përfaqësim. Në pamundësi për këto, përfaqësuan forcën e talentit dhe pasionit të tyre. Kjo është një histori turpi e shtetit shqiptar që i përket së shkuarës”, tha Rama.
Ministri Peleshi u shpreh se nga sot elita e sportistëve shqiptarë pjesë e FA, përfitojnë pagën e kolonelit deri në daljen në pension.
Në ceremoninë e posaçme të gradimit, parakaluan në tapetin e kuq: Luiza Gega e cila fitoi vendin e parë në kampionatin e Atletikës në Mynih, Gjermani gusht 2022, Briken Calja i cili mori vendin e parë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan dhjetor 2021,
Erkand Qerimaj i cili mori vendin e parë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Tiranë maj 2022, Alban Beqiri i cili zuri vendin e parë në Kampionatin Ballkanik të Boksit në Beograd, nëntor 2022.
Po ashtu, trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi dhe xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova edhe zyrtarisht tashmë me gradën kolonel janë pjesë e Ushtrisë Shqiptare.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion
Fjalimi i Presidentes, Tahiri: Deklaratat se nuk mund t’i be...