Google ADS

Aksion në Prishtinë e Pejë, 10 të arrestuar për bixhoz dhe shumë gjëra të sekuestruara

09:50 | 6 Prill 2023
Emir Abduramani

Dhjetë persona janë arrestuar në Prishtinë dhe Pejë për organizim të bixhozit dhe lojërave tjera të fatit.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se në këtë operacion policor të zhvilluar pas hetimeve disa mujore, janë kontrolluar 12 lokacione, ku janë arrestuar dhjetë persona të cilët kishin aktvendim të ndalimit nga Gjykata Themelore, si dhe 15 të tjerë janë intervistuar si të dyshuar për ndihmë në organizimin e bixhozit online.

“Operacioni policor është realizuar në dy rajone të Republikës së Kosovës (Prishtinë dhe Pejë). Ky operacion policor është zhvilluar pas hetimeve disa mujore, ku personat e dyshuar në bashkëveprim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale të lartcekura për një periudhë të gjatë kohore. Gjatë operacionit janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione (vendbanime dhe lokale), janë ndaluar dhjetë (10) persona me aktvendim mbi ndalimin si dhe janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë (15) persona të tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët lirohen në procedurë të rregullt, të njëjtit janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë kontrollit edhe gjashtë të dyshuar tjerë nuk janë hasur në lokacionet e tyre, andaj të njëjtit mbeten në kërkim policor.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:

Para të gatshme – 4,423.00 euro.

Aparatet e lojërave të fatit – 2 copë

Telefona mobilë – 25 copë

Kompjuterë laptop – 2 copë

DVR – 2 copë si dhe

Materiale/dokumente relevante për rastin.

Me urdhër të prokurorit kompetent dhjetë (10) të dyshuarit e arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë./Arbresh.info

Të ngjashme