Google ADS

Rizvanolli: Mund të kërkojmë dëmshpërblim nga Serbia nëse vazhdon ta bllokoj marrëveshjen për energji

22:21 | 5 Prill 2023
E.H

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë detaje për zhvillimet që janë bërë për një vjet prej kur është arritur Marrëveshja për Energjinë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të procesit të dialogut.

Ajo ka theksuar se pala kosovare i ka përfunduar me kohë të gjitha gjërat i kanë takuar në këtë marrëveshje, por që pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet që i ka pasë.

Për këtë, Rizvanolli ka shtuar se do të kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia.

“Është një marrëveshje e 2013-ës e trashëguar dhe pastaj konkluzionet e vitit 2015 gjithashtu janë pjesë e kësaj marrëveshje. Në qershor të vitit të kaluar kemi pasur edhe nënshkrimin e një udhëzuesi udhërrëfyesi për zbatimin e saj”, ka thënë Rizvanolli.

“Ne si qeveri, edhe të gjitha institucionet tona si KOSTT, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, edhe kompania e distribucionit që e ka licencën e vetme për tërë territorin e Kosovës, i kanë kryer të gjitha detyrat e veta që i kanë pasur në kuadër të kësaj marrëveshje”, tha ajo në klan kosova.

“Nga ana tjetër, jo e njëjta ka ndodhur me palën serbe dhe me kompaninë “Elektrosever”. Para disa javësh është dërguar marrëveshja e nënkontraktimit të disa shërbimeve të distribucionit siç parashihet në marrëveshje nga ana e KEDS-it tek “Elektroseveri” me një afat deri më 31 mars për nënshkrim të kësaj marrëveshje. Kjo nuk është bërë ende për fat të keq mirëpo kjo ka qenë një ndër temat e diskutimit edhe dje në Bruksel”.

“Ne besojmë dhe shpresojmë se do të ketë një respektim të marrëveshjes nga pala tjetër, nëse jo Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të detyrohet t’ia revokojë licencën kompanisë, kjo situatë është e patolerueshme tani më. Ne do të kërkojmë dëmshpërblim nga Serbia duke qenë se ajo është pala që po e bllokon zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Rizvanolli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme