Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), sot i ka drejtuar Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndaj kësaj kërkese ka reaguar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani.
Në reagimin e tij Kupina thotë se sot janë informuar, fillimisht nga mediat që Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka dërguar një kërkesë me shkrim në Presidencë, me të cilën ka kërkuar që Presidentja të dekretojë kandidatin e propozuar nga KPK-ja, për Kryeprokuror të Shtetit.
Sipas tij, më vonë gjatë ditës, Presidenca e ka pranuar shkresën në fjalë nga KPK-ja.
“Siç e ka sqaruar Presidentja, gjatë komunikimit me drejtues të KPK-së dhe të sistemit prokurorial, si dhe në prononcimet publike, secili veprimi i Presidentes lidhur me këtë çështje mbështetet në mandatin e saj kushtetues të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve dhe ka qëllim të vetëm forcimin e integriteti të sistemit prokurorial dhe besueshmërisë së qytetarëve në këtë sistem. Konsiderojmë se edhe KPK-ja duhet ta ketë mision parësor të punës së tij integritetin dhe besueshmërinë qytetare të sistemit prokurorial. Së këndejmi, konsiderojmë se shkresa e KPK-së nuk i kontribuon një synimi të tillë, i cili duhet të jetë objektiv i përbashkët”, ka thënë Kupina në një reagim.
“Së pari, Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kreprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Këtu përfundon kompetenca kushtetues dhe ligjore e KPK-së. Prandaj, konsiderojmë se shkresat dhe kërkesat e tilla, të cilat në formë ultimative paraqiten nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes, nuk kanë asnjë bazë normative ligjore.
Së dyti, Presidentja e ka sqaruar publikisht se, duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Së treti, Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit”, ka thënë Kupina.
Më tej ne reagimin e tij Kupina thotë se “për më tepër, konsiderojmë se Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative. KPK-ja me shkresën e saj dezinformon publikun se Gjykata Kushtetutese e ka shpallur lëndën “të pabazuar”, gjë që nuk është e vërtetë, sepse Kushtetuesja ka nxjerrë vetëm aktvendim për papranueshmëri për shkak të mosshterrjes së mjeteve juridike. KPK-ja po dezinformon edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, duke konstatuar se ai vendim ‘ka vërtetuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim” dhe se “nuk ka gjetur shkelje formale e materiale të procedurës së rekrutimit’. Kjo është e pavërtetë, sepse vendimi i Gjykatës Supreme thjeshtë ka vërtetuar vendimet e gjykatave më të ulëta për paafatshmërinë e paraqitjes së padisë, por nuk i ka vlerësuar pretendimet për shkelje në procesin e emërimit të Kryeprokurorit. Kërkesa të tilla me përmbajtje të tillë skandaloze të bazuara në të pavërteta, janë në kundërshtim me parimin e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial, e për më tepër në kundërshtim me kushtetutën, sepse kanë keqinterpretuar vendimet e gjykatave të rregullta. Kjo cenon rëndë pavarësinë e këtyre gjykatave dhe vendos opinionin publik në lajthitje”, tha ai.
Konsiderojmë se edhe KPK-ja, sikundër edhe secili institucion tjetër i drejtësisë duhet ta ketë mision parësor dhe të vetëm përmirësimin e sistemit të drejtësisë, e jo avancimin e agjendave apo interesave të caktuara personale apo grupore.
Presidentja nga ana tjetër, e konsideron këtë mision të shenjtë dhe nuk ka asnjë formë presioni që do ta dekurajojë nga ky mision./Arbresh.info/
Lexo edhe:
Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj...
Ministri Peci i “zhytur” në skandale, punësime familjare, e ...
Aktrim lidhur me ngjarjet, Gresa përplaset me Vullnetin, Dre...
Prishtina i bashkohet Paradës së Shqiptarëve në Tiranë, Veli...
Drenusha e quan Gjestin përndjekës të femrave
Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trumpin