Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se Kina është duke i ndihmuar ekonomisë së Rusisë, teksa kjo e fundit përballet me sanksionet e Perëndimit për luftën në Ukrainë.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë mbajtur takime në Bruksel me partnerët e Azi-Paqësorit: Japoninë, Korenë Jugore, Australinë dhe Zelandën e Re, për sfidat në rritje, që kanë burim Kinën.
“Kina refuzon të dënojë agresionin e Rusisë. I bën jehonë propagandës ruse. Dhe kjo është mbështetje për ekonominë e Rusisë”, ka thënë Stoltenberg.
“Në kohën kur Pekini dhe Moska janë duke vepruar në kundërshtim me rregullin ndërkombëtar, është edhe më e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar”.
Thirrja për një qëndrim të unifikuar është bërë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, ka arritur në Pekin për të biseduar me liderin kinez, Xi Jinping.
Macron ka thënë në kryeqytetin kinez se, secili që i ka ndihmuar Rusisë “agresore” në luftën e saj në Ukrainë, do të shihet si “bashkëpunëtore”.
Mirëpo, ai, po ashtu, ka thënë se Pekini mund të luajë “rol të madh” në gjetjen e një rruge për paqe në Ukrainë, dhe ka insistuar se Evropa nuk duhet “të shkëputet” nga Kina.
Stoltenberg ka ritheksuar paralajmërimet e Perëndimit ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë.
Ai ka thënë se NATO-ja, deri më tani, “nuk ka arritur të konfirmojë” që Pekini po dërgon armë në Rusi.
“Kina e di që do të kishte pasoja të rënda”, ka paralajmëruar ai.
Stoltenberg ka thënë, po ashtu, se i ka ftuar liderët e katër vendeve të Azi-Paqësorit në samitin e radhës të NATO-s, që mbahet në Vilnius, dhe se aleanca po synon të rrisë lidhjet me këtë rajon.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...