Shkolla e vetme në Prishtinë me kuzhinën e saj, liron nga pagesa fëmijët me kushte jo të mira financiare

12:09 | 2 Prill 2023
A Z

Në shkollën fillore, Emin Duraku, në Prishtinë, ushqimi për nxënësit përgatitet brenda shkollës.

Drejtoria e kësaj shkolle ka vendosur të lidh kontratë me një kompani private, e cila përgatit ushqimin për fëmijët të cilët vijojnë shkollimin këtu.

Çmimet janë të arsyeshme dhe ushqimi u servohet gjatë pushimit të gjatë të dyja ndërrimeve, raporton “Arbresh.info”,

Krejt kjo sipas drejtorit të kësaj shkolle, Visar Osmani, ka ardhur për shkak të rritjes së sigurisë së nxënësve.

“Ideja ka qenë që fëmijët të mos dalin jashtë oborrit të shkollës gjatë pushimit gjatë, në momentin kur e ndalon për çështje sigurie duhet të ofrohet diçka brenda. Kuzhina është alternativë nuk është e obliguar për nxënësit disa nga nxënësit marrin bukën nga shtëpia dhe hanë në shkollë”, shprehet ai.

Osmani tregon se nga  kuzhina brenda shkollës ofrohen 10 lloje të  ndryshme të ushqimeve dhe ushqimi u servohet nxënësve në klasa.

“Ndërsa kuzhina ofron 10 lloje të ushqimit të cilat do të rriten në të ardhmen do të rriten me produkte të tjera. Ku kërkesa ime ka qenë çdo ushqim të përgatitet brenda në shkollë dhe jo të servohet të merret nga jashtë dhe të nxehet brenda.  Çdo nxënësi iu servohet në klasë në qese të posaçme ku nxënësit e marrin ushqimin janë parapagues mujor ku dy herë në javë i servohet pemë nga kuzhina, megjithatë është kërkesa e prindërve dhe është duke ecur shumë mirë”, pohon  drejtori i shkollës.

Krejt ideja që brenda objektit shkollor të ketë kuzhinë, ai thotë se ishte e tij, pasi siç shprehet vetë ai, çfarëdo që të bëhet me nxënësit, përgjegjësia bie tek shkolla.

Osmani: Nxënësit me kushte jo të mira ekonomike lirohen nga pagesa

Kjo ide, ai thotë se pati përkrahjen e plotë të prindërve, pasi edhe ata kishin qenë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre, raporton “Arbresh.info”.

“Fëmijët dalin në oborr e kanë pushimin e gjatë 20 minuta dhe kjo e ka kontribuar sigurisë. Prindërit kanë qenë ata që në takime me këshillin e prindërve që i kam pasur në fillim, e kam paraqitur planin si fillim dhe në mënyrë anonime ka pasur presion që me kryer sa më shpejtë. Edhe nga ana e tyre kemi pasur shqetësime sepse fëmijët kanë dalë dhe janë dhunuar, ka ndodhur që kanë thënë që janë duke shkuar në shkollë, ka dalë për ushqim dhe nuk është kthyer fare”, tregon Osmani.

Çmimi mujor prej 19 euro për nxënësit e kësaj shkolle, sipas tij, është i arsyeshëm.

Për të mos pasur dallime në ushqim, Osmani tregon se ata nxënës që nuk i kanë kushtet e mira financiare lirohen nga pagesa.

“Çmimi në baza mujore është 19 euro, pesë ditë në javë dhe dy herë në javë kanë pemë, në 22 ditë pune, është një çmim që e kanë pranuar prindërit. 80 për qind e fëmijëve marrin ushqim dhe ka fëmijë që nuk është parapagues, por blejnë në baza ditore dhe janë prindërit ata që kanë kërkuar. Nxënësit janë ata të cilët janë gëzuar më së shumti sepse është krijuar një barazi në mes nxënësve, rastet sociale i kemi të liruar,  për mbi 20 nxënës janë të liruar në kuzhinë, që të gjithë të ushqehen mirë dhe të mos ketë dallime së paku në ushqim”, tregon Osmani.

Njëra nga kuzhinieret e shkollës, Bukurie Krasniqi, për “Arbresh.info” thotë se tërë jetën e saj ia ka përkushtuar gatimit. Ajo tregon se si ishte ftuar nga drejtoria të hapte kuzhinën e saj brenda këtij objekti shkollor, për të gatuar për më të vegjlit e shkollës.

Ajo tregon llojllojshmërinë e ushqimeve që gatuan dhe u servohen fëmijëve.

“Me të thënë të drejtën si ide gjithmonë si e re kam pasur dëshirë gatimin, madje filluam në afërsi të shkollës dhe pastaj drejtori më ka sjellë këtu brenda. Ditën e hënë e kam tosta sendviça dhe byrekë sepse e kam me menynë javore, kurse të martën kam edhe me pica. Më kanë pritur shumë mirë edhe prindërit edhe nxënësit. Picat samunat dhe petullat ju pëlqejnë nxënësve jashtë mase. Unë kam filluar prej orë gjashtë mëngjes dhe filloi që të gatuaj për ti pasur gati për pushimin e gjatë”, tregon ajo.

Mësimdhënësit: Kjo kontribuon edhe sigurisë së shkollës, sepse nuk është nevoja të dilet jashtë

Mësimdhënësja Fortesa Metaj, për “Arbresh,info” thotë se kjo është një mundësi mjaftë e mirë, duke krijuar siguri dhe barazi tek nxënësit.

“Nxënësit  e kanë mirëpritur shumë mirë, sepse nuk e kanë pasur atë mendimin se çfarë të marrin në ushqim, vetë nxënësit shërbehen me ushqim pesë minuta para pushimit. Kjo kontribuon edhe sigurisë së shkollës sepse nuk është nevoja të dilet jashtë”, tregon Metaj.

Nxënësit: Janë të shumë të përshtatshme për ne dhe shëndetin tonë

Edhe nxënëses së kësaj shkolle, Elda Shala i pëlqen shumë kuzhina e shkollës, duke shtuar se ushqimi këtu është më shëndetshëm.

“Mua më pëlqen kuzhina e shkollës edhe ushqimi që i bënë shkolla. Mendoj se janë të shumë të përshtatshme për ne, për shëndetin tonë. E kam mujoren dhe çdo ditë e marr ushqimin nga kuzhina e shkollës”, tha Shala.

Ndryshe, shkolla fillore, Emin Duraku numëron plotë 600 nxënës me 29 paralele. Funksionimi i kësaj kuzhine brenda shkollës ka filluar në tetor të vitit të kaluar dhe është alternative për të gjithë nxënësit./Arbresh.info/Diellza Gashi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme