Ukraina akuzon liderin e Kishës Ortodokse për qëndrime pro-ruse

20:02 | 1 Prill 2023
K.B

Agjencia e lartë e sigurisë e Ukrainës e njoftoi një prift të lartë ortodoks të shtunën se ai dyshohet se ka justifikuar agresionin rus, duke kërkuar kështu arrest shtëpiak për të në një periudhe plot tensione mes qeverisë ukrainasë dhe Kishës ukrainase Ortodokse.

Mitropoliti Pavel, igumeni i manastirit Kyiv-Pechersk Lavra – vendi më i shenjtë ortodoks i Ukrainës – e ka kundërshtuar urdhrin e autoriteteve ukrainase për lirim të pronës. Më herët gjatë javës, ai e mallkoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke e kërcënuar me dënim me ferr.

Gjatë një seance gjyqësore në kryeqytetin ukrainas, mitropoliti hodhi poshtë pretendimin e Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës (SBU) se ai e justifikonte dhe e falte pushtimin rus të Ukrainës. Pavel i cilësoi akuzat kundër tij si të nxitura politikisht.

Agjentët e SBU-së bastisën rezidencën e tij dhe më pas prokurorët i kërkuan gjykatës të japë urdhër për arrest shtëpiak përderisa zhvillohen hetimet.

Murgjit në manastir i përkasin Kishës ukrainase Ortodokse (KUO), e cila është akuzuar se ka lidhje me Rusinë. Mosmarrëveshja rreth pronës, të njohur edhe si Manastiri i Shpellës së Shenjtë, është pjesë e një konflikti më të gjerë fetar që është zhvilluar paralelisht me luftën.

Qeveria ukrainase ka kritikuar KUO-në për lidhjet e saj historike me Kishën Ortodokse Ruse, udhëheqësi i së cilës, Patriarku Kirill, e ka mbështetur presidentin rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës.

KUO-ja ka këmbëngulur se është besnike ndaj Ukrainës dhe që nga fillimi e ka dënuar pushtimin rus. Kisha e shpalli pavarësinë e saj nga Moska.

Por, agjencitë ukrainase të sigurisë kanë pohuar se disa njerëz brenda KUO-së kanë mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.

Shumë vende të shenjta të kishës janë bastisur dhe më vonë janë publikuar fotografi të pasaportave ruse dhe fletushkave me mesazhe nga patriarku i Moskës si dëshmi se disa zyrtarë të kishës kanë qëndruar besnikë ndaj Rusisë.

Manastiri Kyiv-Pechersk Lavra është nën pronësi të qeverisë ukrainase dhe agjencia që e mbikëqyr atë i njoftoi murgjit se po vinte fundi i qirasë dhe ata kishin kohë deri të mërkurën të largoheshin nga vendi.

Metropoliti Pavel u tha besimtarëve të mërkurën se murgjit nuk do të largoheshin dhe se janë në pritje të rezultatit të një padie që Kisha e ka ngritur në një gjykatë në Kiev për këtë çështje.

Qeveria pretendon se murgjit e kanë shkelur marrëveshje për qira duke bërë ndryshime në vendin historik dhe duke bërë shkelje të tjera teknike. Murgjit e kundërshtuan këtë pretendim, duke e cilësuar atë si “pretekst”.

Shumë pjesëtarë të komunitetit ortodoks në Ukrainë i kanë ndërprerë lidhjet e tyre me KUO-në dhe kanë kaluar në Kishën rivale Ortodokse të Ukrainës (KOU), e cila para më shumë se katër vjetëve u njoh formalisht nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme