Shefja e OKB-së për çështjet e çarmatimit paralajmëroi të premten se rreziku i përdorimit të një arme bërthamore tani është më i lartë se në çdo kohë që nga Lufta e Ftohtë.
“Lufta në Ukrainë përfaqëson shembullin më të fortë të këtij rreziku”, tha Përfaqësuesja e Lartë e OKB-së për çështjet e Çarmatimit, Izumi Nakamitsu në një takim të Këshillit të Sigurimit.
Në takimin e kërkuar nga Ukraina, të cilën e mbështetën Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, u diskutua njoftimi i Rusisë më 25 mars se po planifikon të dislokojë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.
“Kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me armët bërthamore, dëshiroj të jem e qartë që në fillim: të gjitha shtetet duhet të shmangin marrjen e çfarëdo veprimi që mund të çojë në përshkallëzim, gabim ose llogaritje të gabuar”, tha ajo. “Të gjitha shtetet që janë pjesë e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore duhet t’u përmbahen rreptësisht angazhimeve dhe detyrimeve të tyre, që burojnë nga Traktati”.
Zonja Nakamitsu u kërkoi të gjitha vendeve që të kthehen në dialog dhe të ulin tensionet. Ajo i bëri thirrje veçanërisht Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që të kthehen në zbatimin e plotë të traktatit më të madh të kontrollit të armëve midis dy fuqive.
Rusia tha muajin e kaluar tha se nuk do ta zbatonte më traktatin dhe njoftoi këtë javë se nuk do të ndante më informacione lidhur me armët e saj bërthamore, që zakonisht bëhet dy herë në vit. Uashingtoni tha se do të pezullojë ndarjen e të dhënave të tij bërthamore me Rusinë në një përpjekje për të inkurajuar Moskën që të rikthehet tek zbatimi i traktatit.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesit e dy vendeve shkëmbyen akuza lidhur me tërheqjen nga një sërë traktatesh për kontrollin e armëve.
Lidhur me planet e Rusisë për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusi, i dërguari amerikan i kërkoi Moskës që ta rishqyrtojë vendimin e saj.
“Rusia duhet të ndërpresë menjëherë retorikën përshkallëzuese rreth përdorimit të armëve bërthamore”, tha ambasadori Robert Wood. “Çdo përdorim i armëve kimike, biologjike apo bërthamore në Ukrainë do të kishte pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe do të ndryshonte rrënjësisht natyrën e kësaj lufte”.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Bjellorusisë që të ndërpresë bashkëpunimin e saj me Rusinë për sulmin e saj ndaj Ukrainës. Rusia ka kryer një pjesë të sulmeve të saj ndaj Ukrainës nga teorritori i Bjellorusisë.
Përfaqësuesi i Rusisë në OKB tha se Moska nuk po shkel detyrimet e saj ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore.
“Presidenti Putin ishte i qartë për faktin se ne nuk po transferojmë armë bërthamore”, tha ambasadori rus Vassily Nebenzia. “Po flasim për transferimin në Bjellorusi të komplekseve operative, taktike, raketore, raketat Iskander-M. Ne po flasim për dërgimin e avionëve në aeroportet e Bjellorusisë, trajnimin e ekipeve dhe ndërtimin e një objekti të posaçëm magazinimi për armët taktike bërthamore në territorin e Bjellorusisë – dhe e gjithë kjo do të jetë nën kontrollin rus.”
Ambasadori Nebenzia pretendoi se Moska po dislokon armë në Bjellorusi për të mbrojtur aleatin e saj nga kërcënimet e vendeve perëndimore, pasi, sipas tij, ato po dërgojnë më shumë armë në Ukrainë.
Vetëm disa ditë pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, Bjellorusia përmes një referendumi miratoi një kushtetutë të re që i jep fund statusit të saj si vend jo-bërthamor, duke i hapur rrugën Kremlinit për të dislokuar armë taktike bërthamore atje.
“Bjellorusia nuk është e përgatitur të sulmojë dikë e para, por përkundrazi po reagon siç duhet duke përdorur të gjitha kapacitetet ekzistuese, për t’iu përgjigjur çdo agresioni të huaj”, tha ambasadori bjellorus në OKB, Valentin Rybakov. “Ky bashkëpunim midis Rusisë dhe Bjellorusisë nuk është asgjë e re.”
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya e denoncoi vendimin. “Bjellorusia nuk është një bazë ushtarake ruse, por një vend i pavarur i njerëzve të lirë. Ne nuk mund ta lejojmë Lukashenkun ta kthejë vendin tonë në një djerrinë bërthamore”, tha ajo në një postim në Twitter të premten.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehën shqetësimin për përhapjen e armëve bërthamore dhe thanë se duhet t’i jepet fund tërheqjes së vendeve nga traktatet bërthamore./VOA
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...