A është Kosova shtet i kryer në të Drejtën Ndërkombëtare, flet njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

10:02 | 1 Prill 2023
A. B.

Debatit tashmë të nisur se Kosova, a është shtet i kryer, çka i mungon dhe cilat janë specifikat që parashihen në të Drejtën Ndërkombëtare, të shteteve që krijohen nga kombet, ka ngjallur reagime tek opinioni publik kosovar.

Sipas njohësit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shqiprim Pula, Kosova bëhet subjekt i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, vetëm atëherë kur të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe anëtare e organizmave të tjerë ndërkombëtar, e që deri më tani nuk është.

Po ashtu,  Kosova politike sipas tij, duhet pa humbur kohë t’i konsolidojë institucionet e mirëfillta dhe funksionale që ta përfundojë tranzicionin e konsolidimit, të punojë pa rreshtur me strategji për njohje dhe anëtarësime të reja.

Po ashtu sipas njohësit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Kosova duhet  t’i vazhdojë përpjekjet për bashkëpunime rajonale dhe ndërkombëtare si dhe të zhvillojë gradualisht mirëqenien ekonomike të qytetarëve të vendit, sepse, vetëm kështu sipas tij, doktrinat ndërkombëtare i njohin shtetet si funksionale dhe të suksesshme.

Në këtë intervistë të shkurtër për ‘Arbresh.info’, Pula, thotë se Gjykata Ndërkombëtare e Dretjësisë në Hagë (GjND), ka njohur dhe vërtetuar ekzistencën e shtetit të Kosovës, i cili vendim, ka qenë adut për gjitha shtetet për të njohur mëvetësinë e Kosovës.

Intervista e plotë:

Arbresh.info: Kosova a është shtet i kryer në të Drejtën Ndërkombëtare?

Shqipërim Pula: Në kuptim të përkufizimit, Kosova ka territorin, popullsinë, qeverinë dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale ndërkombëtare si shtet dhe si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Madje, në Korrik të 2010-tës, GjND-ja ka njohur dhe vërtetuar ekzistencën e shtetit të Kosovës, i cili vendim, ka qenë adut për gjitha shtetet për të njohur mëvetësinë e Kosovës.

Arbresh.info: Çka i mungon Republikës së Kosovës, për me qenë shtet i kryer në të Drejtën Ndërkombëtare?

Shqipërim Pula: Që kur lind një shtet dhe njihet ekzistenca e tij, krijohet mundësia e të qenurit pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe e ndërvarësive ndërshtetërore, si shtete me interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike, qofshin ato bilaterale apo multilaterale. Natyrisht, Kosova duke mos qenë anëtar i OKB-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtar deri më tani, ka disa mungesa qenësore të përfitimeve dhe përgjegjësive ndërkombëtare. Por, çfarë është me rëndësi është përcaktimi politik properëndimor, duke qenë pjesë e shteteve që ruajnë dhe mbrojnë vlerat e të drejtave të njeriut dhe demokracisë si sistem qeverisës.

Arbresh.info: Çka thotë e Drejta Ndërkombëtare kur shtetet janë të kryera, atëherë kur përfundon anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, apo ka një gjë tjetër specifike?

Shqipërim Pula: Kosova politike duhet pa humbur kohë t’i konsolidoj institucionet e mirëfillta dhe funksionale që ta përfundoj tranzicionin e konsolidimit, të punoj pa rreshtur me strategji për njohje dhe anëtarësime të reja, t’i vazhdoj përpjekjet për bashkëpunime rajonale dhe ndërkombëtare si dhe të zhvillojë gradualisht mirëqenien ekonomike të qytetarëve të vendit, sepse, vetëm kështu doktrinat ndërkombëtare i njohin shtetet si funksionale dhe të suksesshme. /Arbresh.info/Pleurat Salihu/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme