Sot në Beograd, gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministrat e qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë nënshkruan disa dokumente dypalëshe, të cilat siç thonë nga Qeveria e RMV-së, kanë për qëllim afrimin e mëtejshëm të vendeve, ekonomive dhe popujve në mes dy vendeve, të cilat janë rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara për Ballkanin e Hapur.
Nga Qeveria njoftojnë se memorandumi i nënshkruar mes ministrave të Punëve të Brendshme të të dy vendeve ka të bëjë me lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve në vendkalimin kufitar Tabanovc-Preshevë.
“Të vetëdijshëm për nivelin e lartë të trafikut të automjeteve të pasagjerëve të gjeneruar në këtë pikë kufitare, ekipet e Ministrisë së Brendshme, Departamenteve të IT-së dhe Policisë Kufitare, Administratave Doganore si dhe Ministrive të Transportit dhe Lidhjeve nga të dyja vendet kanë punuar prej disa muajsh për gjetjen e zgjidhjeve”.
“Janë përcaktuar disa lloje masash, zbatimi i të cilave do të përmirësojë, lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e pasagjerëve dhe automjeteve. Masat i referohen kryesisht infrastrukturës në terren dhe modelit të menaxhimit të përbashkët të kufirit”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Memorandumi i dytë, i cili u nënshkrua në Beograd, ka të bëjë me një projekt për sistemet e rrjetëzimit për mbledhjen elektronike të tarifave.
“Me intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe nivelit veçanërisht të lartë të lidhjes mes dy vendeve tona, numri i qytetarëve që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Serbi ose anasjelltas po rritet çdo ditë, por intensiteti i automjeteve dhe pasagjerëve që përdorin vendet tona si transit drejt vendeve të treta është i lartë. Në këtë drejtim, ne vazhdimisht po përmirësojmë infrastrukturën e autostradave dhe po ndërtojmë autostrada të reja, por po investojmë gjithashtu në zgjidhje dixhitale që lehtësojnë udhëtimin duke rrjetëzuar sistemet elektronike të mbledhjes së tarifave”, theksojnë nga Qeveria.
Me nënshkrimin e memorandumit, së shpejti të gjithë qytetarët e Serbisë me pajisjen TAG të instaluar do të mund të kalojnë pa ndalesë nëpër rrugët me pagesë në Maqedoninë e Veriut dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e RMV-së tonë kur të udhëtojnë nëpër Serbi.
Memorandumi i tretë, i cili u nënshkrua sot në Beograd, ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e minierave dhe energjetikës.
“Me këtë memorandum tregojmë vullnetin tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, në mënyrë që të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike. Energjia është një shtyllë e ekonomisë dhe me këtë memorandum ndër të tjera inkurajohen dhe mbështeten investimet e përbashkëta nga të dyja vendet, veçanërisht për ndërtimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, prodhimin e energjisë dhe ndërlidhjen e sistemeve të gazit dhe energjisë elektrike. Maqedonia e Veriut dhe Serbia”, thonë nga Qeveria./Telegrafi/
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë