Google ADS

Mustafa: Qeveria Kurti e shtrenjtoi rrymën dy herë, urgjentisht të investojë në kapacitete të reja gjeneruese

13:10 | 31 Mars 2023
A. B.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur sot një konferencë për media, ku është theksuar se brenda dy vitesh qeverisje nga Albin Kurti, çmimi për energji elektrike është shtrenjtuar dy herë.

Deputeti Besian Mustafa ka kërkuar që urgjentisht Qeveria Kurti të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike.

“Për herë të dytë në dy vitet e kësaj qeverie, po rritet çmimi i energjisë elektrike. Kësaj radhe edhe për 15,4 për qind. E tëra kjo në këtë kohë krize kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur deri në 50 për qind, kur tatimi në pronë është rritur për 100 për qind, kur pagat nuk janë rritur as në sektorin publik, as në sektorin privat”.

“Kjo qeveri për 2 vjet nuk ka investuar asnjë cent në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në sektorin e energjisë elektrike. Qindra miliona euro të shpenzuara në subvencionim, nuk e zgjidhin problemin afatgjatë të energjisë”.

“Qeveria duhet urgjentisht të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike në partneritet me sektorin, privat vendor dhe ndërkombëtar”.

“Këto investime duhet përqendruar tek burimet e ripërtërishme të energjisë si the tek termocentrali me gaz si opsioni më i mirë”, ka thënë ai.

Ai tha se format e subvencionimit të faktuarave nga qeveria nuk janë zgjidhje, sipas tij po të investoheshin të gjithë ato para në gjenerim të energjisë, vendi nuk do të përballjen me këto probleme.

“Forma me subvencionim është një harrim i problemit jo zgjidhje e problemit. Ato nuk ofrojnë zgjidhje afat të mesë a po afat gjatë. Janë mbi 100 milion euro, e qindra miliona euro qe po përdoren për subvencionim, kur këto qindra miliona euro do të duhej që investoheshin në gjenerim të energjisë dhe nuk do ti kishim këto probleme”, tha ai./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme