Linjat e autobusëve të Podujevës dhe Lipjanit shkelin vendimin e Komunës së Prishtinës për mos hyrje brenda qytetit

10:32 | 31 Mars 2023
L G

Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës ka nisur një aksion nën asistimin e policisë, që ka për qëllim të parandalimit të futjes së operatorëve ndërurban në brendi të kryeqytetit.

Linjat e autobusëve të Podujevës dhe Lipjanit, nuk janë duke i respektuar rregullat që të kalojnë në linjat e paracaktuara dhe të mos futen në brendësi të Prishtinës.

Drejtori i Inspeksionit të Prishtinës Florian Dushi, në një prononcim për portalin “Arbresh.info”, tha se ky aksion ka për qëllim që të evitojë futjen e transportuesve ilegalë të udhëtarëve në kryeqytet.

Dushi, tha se ky vendim është marr për shkak se autobusët ilegalë po parkohen vend e pa vend, gjë që sipas tij, përveç dendjes së komunikacionit, po ndikon edhe në humbjen financiare nga vetë stacioni i autobusëve.

“Aksioni ka për qëllim evitimin e futjes në brendi të qytetit të autobusëve të cilët në fakt pikën e fundit të ndalim e kanë vetë stacionin e autobusëve. Prandaj ne si Drejtori e Inspeksionit kemi ndërmarr masa në kuptimin e njëjtit të mos ti lejojmë të futen në brendi të zonën urbane, mos ti lejojmë që të parkohen sepse ata po ashtu parkohen vend e pa vend po futen në stacionin e autobusëve sepse përveç të tjerash tollovisë kaosit që ata e shkaktojnë në qytet. Edhe vetë stacioni i autobusëve po pëson humbje financiare nga mos hyrja e tyre në stacion”, tha Dushi.

Ai theksoi se janë disa linja që nuk po i respektojnë rregullat dhe kanë krijuar praktikë që janë në kundërshtim me vendimin e marrë nga komuna.

Kurse qytetarët e kishin pritur shumë mirë këtë aksion, sepse sipas drejtorit, parkingimi në hapësirë publike ka krijuar shumë probleme.

Ai nuk e mohon që kompanitë e autobusëve ilegalë kanë rezistencë, mirëpo tha është shumë e prerë në këtë drejtim.

“Duket që janë disa linja që nuk i kanë i kanë zbatuar ka krijuar praktike e cila është në kundërshtim e përcaktuara të tyre, janë të dëmshme edhe në kuptimin financiar edhe në negativisht në mbarë vajtjen e trafikut. Qytetarët e kanë pritur mirë veçanërisht në zonën e Dardanisë dhe në afërsi të Stacionit e Autobusëve, sepse qytetarëve në atë pjesë ua ka shkaktuar shumë probleme, edhe vetë parkingimi i tyre në trotuare dhe kudo që kanë gjetur një hapësirë publike të lirë. Natyrisht ka një tip rezistencë nga kompanitë apo nga ngasësit e autobusëve, mirëpo ne jemi shumë të vendosur që të jemi shumë të vendosur në këtë drejtim”, u shpreh Dushi.

Ai tha se mirë nuk iu kishte ardhur aspak transportuesve ilegalë ky aksion, duke u arsyetuar se qytetarët po kërkojnë që t’i dërgojnë në pikat më të afërta në kryeqytetet.

Drejtori tha se ky arsyetim nuk qëndron, sepse Trafiku Urban është ai që bënë lëvizje të udhëtarëve brenda në qytet.

“Ata nuk e kanë pritur mirë sepse kanë krijuar praktikë të favorshme dhe që janë në interes për ta përveç të tjerave ata ju kanë shmang pagesën e taksave duke iu shmangur futjes së Stacionit të Autobusëve. Zakonisht arsyetimet e tyre janë se ashtu po kërkojnë qytetarët për ti dërguar në pikat më të afërta të kryeqytetit, gjëra që edhe nëse qëndrojnë është Trafiku Urban ai që i bënë lëvizjet e udhëtarëve brenda qytetit”, u shpreh ai.

Dushi, bëri me dije se kësi lloj aksione do të vazhdojnë ende, deri në vetëdijesimin e plotë të këtyre transportuesve.

Bunjaku: Ngufatja në komunikacion do vazhdojë, pasi bëhet më shumë nga automjetet sesa nga këto linja

Kurse eksperti i komunikacionit, Faton Bunjaku, vlerësoi se ndalimi i transportuesve ilegalë do të zbraz pa qytetin, duke shtuar se do të ketë edhe pakënaqësi nga pasagjerët që vijnë nga linjat jashtë qytetit.

“Operatoret nderurban i kanë linjat e caktuara deri në destinacionin përkatës dhe mendoj se ndalimi i tyre në brendi të qytetit do ta zbraz pak sa qytetin nga numri i madh i automjeteve dhe mund të përcaktohet kështu nga komuna, por në anën tjetër do të sjell pakënaqësi për pasagjerët që vijnë nga linja jashtë qytetit sepse do të duhen që të vazhdojnë pjesën tjetër të rrugës me mjete urbane”, tha Bunjaku” për Arbresh.info.

Sipas tij, nuk do të ketë zbrazje mazive të komunikacionit, për shkak se “ngufatja e komunikacionit” bëhet më shumë nga numri i madh i automjeteve.

“Nuk do të ndikojë edhe shumë në zbrazjen e komunikacionit ngufatja në komunikacion bëhet me shumë nga automjetet jo nga nja numër i vogël i autobusëve të linjave ndër urbane dhe mendoi se nuk do të ndikojë shumë në zbrazje të trafikut. Pikërisht kjo është arsyeja e bllokimit të akseve rrugore për shkak se qyteti nuk ka kapacitet të mjaftueshëm të rrugëve por edhe hapësira të mjaftueshme për parkimin e këtyre mjeteve”, theksoi ai.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës më 10 mars të këtij viti, ka marr vendin për moslejimin e kalimit të autobusëve ndërurban në brendësi të Prishtinës./Arbresh.info/Diellza Gashi/

 

Të ngjashme