Kurti: Vetëmenaxhimi s’do të jetë vetëqeverisje

22:41 | 30 Mars 2023
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e cila e parasheh Asociacionin, para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të kishte sjellur Republikë Srpska në Kosovë.

I pari i qeverisë tha se ka disa ide që ende s’janë të elaboruara se si vetëmenaxhimi, jo që s’do të jetë vetëqeverisje, por do të jetë plotësisht në suazat e marrëveshjes kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

“Nuk është mirë të thoni ‘Asociacioni po bëhet’. Asociacioni ndodhet brenda thesit dhe neni 10 thotë të zbatohen të gjitha marrëveshjet, që janë valide dhe të obligueshme”.

“E kemi një rast të mirë, nuk kisha dashur të thellohem më tej. Marrëveshja e vitit 2013 i ka tri pjesë, dy i ka shkelur Serbia. Ajo e 2015-tës është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur Kurti në klan kosova.

Tutje, ai tha se s’ka teori që nenet 9 dhe 10 ta kalojnë Gjykatën e Strasburgut.

“Njëra thotë që komandanti i katër komunave në veri do të jetë serb dhe tjetra thotë që shumica në Gjykatën e Apelit do të jenë serbë, s’ka shanse”, tha ai.

Më tej, Kurti tha se Serbisë i kanë dështuar disa plane, ku sipas tij, “plani A” ka qenë që Asociacioni të jetë si parakusht i fillimeve të bisedimeve.

“Plani B ka qenë që Asociacioni të vendoset në preambulë, ka rënë. Plani C ka qenë që të vendoset në nenin një apo dy, ka rënë. Plani D apo Ç, ka qenë që të jetë Asociacioni nen i veçantë. Sot e ke planin franko-gjerman të shndërruar në marrëveshje midis neve, ku Asociacioni është njëri prej 39 marrëveshjeve në nenin 10. Kaq kam mundur të bëjë”, është shprehur Kurti.

 

Lexo edhe:

Marrëveshja me Serbinë është adoptuar nga e gjithë BE-ja, thotë Kurti

Kurti: Jam më i brengosuri për tri ligjet që opozita i dërgoi në Kushtetuese

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme