Google ADS

Italia ndalon ushqimin sintetik, Meloni mbështet propozimin: Mbron fermerët

08:25 | 30 Mars 2023
K.B

Qeveria e djathtë e Italisë ka mbështetur një draft që ndalon mishin e prodhuar në laborator dhe ushqimet e tjera sintetike, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe njëkohësisht trashëgiminë e ushqimit italian.

Nëse propozimi miratohet, shkelja e ndalimit do të ndëshkohet me gjoba që arrijnë deri në 60 mijë euro.

Francesco Lollobrigida, që drejton Ministrinë e Agrikulturës, deklaroi se lëvizja është me rëndësi për traditën ushqimore të Italisë.

Ajo është mirëpritur nga fermerët, por jo nga grupet për mbrojtjen e kafshëve, që e kanë propozuar mishin e prodhuar në laborator si një zgjidhje ndaj shumë problemeve, përfshirë atë për mbrojtjen e ambientit nga emetimet e karbonit dhe atë për sigurinë ushqimore.

Sindikatat dhe kompanitë e agrikulturës kishin mbledhur në muajt e fundit 500 mijë firma në kuadër të një peticioni që bënte thirrje për mbrojtjen e ushqimit natyral përballë atij sintetik dhe kryeministrja Meloni ishte një prej firmëtarëve.

“Ne mund të festojmë për një masë që vendos në pararojë fermerët tanë dhe mbron jo vetëm aspektin e ekselencës, por edhe konsumatorët”, ka deklaruar Meloni.

Drafti i propozuar u miratua pas një seri dekretesh qeveritare, që ndalonin përdorimin e miellit të prodhuar nga insektet si bulku ose nga hardhuca në pica ose makarona./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme