Google ADS

Konjufca takoi ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi

10:37 | 29 Mars 2023
Vjollca Gajraku

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në vazhdën e vizitës së tij zyrtare në SHBA, është pritur në takim nga ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate nga Drejtoria për media në Kuvendin e Kosovës.

Në të thuhet se kryetari Konjufca dhe kongresistja Pelosi shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës potencoi se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara”, theksoi kryetari Konjufca.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli.

Vizita e kryetarit të Kuvendit në Uashington do të vazhdojë me takime të tjera në Kongresin Amerikan./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme