Policia gjen në Viti lopë të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut, i dyshuari në arrati

09:56 | 29 Mars 2023
E.H

Policia e Kosovës, konkretisht njësitë e Taskforcës nga Policia Kuftiare – DRK Lindje, njofton se gjatë ditës së djeshme, kanë pranuar informacione se nga fshati Tanushë – RMV dy automjete janë duke kontrabanduar disa kafshë.

Pas vëzhgimeve të rrugëve ilegale, policia ka identifikuar lokacionin ku po fshiheshin kafshët ilegale në fshatin Sodovinë e Qerkezve të Vitisë me pronarë të dyshuarin M.K., i cili me të vërejtur njësitet policore është larguar në drejtim të panjohur.

“Pas informacioneve të pranuara nga njësitë kompetente policore janë ndërmarrë veprime të menjëhershme në terren, duke bërë vëzhgimin e rrugëve ilegale, përmes të cilave po kryhej veprimtaria e dyshuar, ku si rezultat rreth orës 20:00 në fshatin Sodovinë e Qerkezve – Viti është identifikuar lokacioni ku po vendoseshin kafshët e kontrabanduara, në pronën e të dyshuarit M. J. viti i lindjes 1991, i cili dyshohet se me të vërejtur njësitë policore është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtin lokacion janë hasur dy automjete të dyshuara me targa vendore, ku pas kontrollit të tyre në njërin nga mjetet janë gjetur të ngarkuara 3 krerë kafshë pa numër matrikulli, ndërsa në mjetin tjetër pavarësisht që ishte i zbrazur janë vërejtur gjurmë të bartjes së kafshëve.

Po ashtu kontrolli është realizuar edhe në stallën e oborrit, me ç’rast janë gjetur 11 gjedhe dhe një viç që të gjitha pa nr. matrikulli por me veshë të shpuara, ku dyshohet se numrat matrikulues të tyre janë hequr.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘kontrabandim me mallra’, po ashtu janë njoftuar edhe inspektorët e AUV-it, ku nga ta është lëshuar procesverbal mbi konfiskimin e kafshëve të cilat janë tërhequr dhe janë dërguar në Terminalin Doganor te Dheu i Bardhë”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme