Presidentja Osmani priti kryetarin e Linzit, Klaus Luger

17:19 | 28 Mars 2023
K.B

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryetarin e Linzit, në Austri, Klaus Luger.

Në këtë takim u diskutia mbi bashkëpunimin e mirë të cilin e kultivojnë dy vendet tona, mbi modelet e bashkëpunimit në nivel lokal, si promotor i integrimit të shoqërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe rolin të cilin mërgata e Kosovës në komunën e Linzit, por edhe në gjithë Austrinë, e ka pasur tradicionalisht.

Presidentja Osmani theksoi përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, qoftë gjatë vitet ’90, kur i njohu diplomat e Kosovës dhe ndihmoi në formimin e gjeneratave të tëra, qoftë pas luftës së Kosovës, kur ndihmoi në rindërtimin dhe zhvillimin e saj.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht në ekonomi, teknologjinë informative dhe arsim.

Presidentja e falënderoi po ashtu kryetarin Luger për bashkëpunimin e frytshëm të Linzit me Podujevën dhe theksoi peshën që këto lloj bashkëpunimesh kanë në përmirësimin e ekonomive lokale dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Kryetari i Komunës së Linzit, z. Luger, ndërkaq, u shpreh i lumtur për vizitën dhe e falënderoi Presidenten për partneritetin e Kosovës me vendin e tij dhe qytetin e Linzit.

Ai tha se mërgata e Kosovës është integruar shkëlqyeshëm në shoqërinë austriake dhe është shndërruar në faktor të rëndësishëm zhvillimi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme