Google ADS

Ligji për Kontrollin e Duhanit/ Inspektoret e AUV-it me aksion në lokalet e Pejës për, “Arbresh.info” sjell pamje të aksionit

15:27 | 28 Mars 2023
L G

Që nga viti 2013 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për Duhanin, i cili ndalon pirjen e duhanit në zona të mbyllura.

Megjithatë, është dashur të kalojnë 10 vite që të u prishet ‘tymi i duhanit’ personave që nuk e respektojnë këtë ligji dhe të ndërmerren masa ndëshkuese për ta.

Javë më parë, me urdhër të prerë të ministrit të Bujqësisë Faton Peci, Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur punën në terren, duke bërë të ditur kështu se do të ketë zero tolerancë për të gjithë ata që nuk e respektojnë Ligjin e Duhanit, raporton “Arbresh.info.

Ekipi i “Arbresh.info”, bashkë me inspektorët e AUV-it kanë marrë rrugën për qytetin e Pejës, ku do ketë një inspektim në lokale e kafiteri të këtij qyteti rreth respektimit të ligjit kundër duhanit.

Duket se pejanët e kanë marr shumë seriozisht vendimin e ministrit Peci, pasi në të gjitha lokalet që inspektorët e AUV-it hyn, ky ligj po zbatohej në tërësi.

Bizneset: Po respektojmë në maksimum këtë ligj

Një nga anëtarët e stafit të njërit nga lokalet që u inspektua në Pejë, Elvis Morina, tregon për “Arbresh.info” se a po e respektojnë klientët Ligjin e Duhanit, në lokalin ku ai punon.

“Po e respektojnë shumë. Cigarja brenda nuk pihet”, potencoi Morina.

Madje, Morina thotë se ndalimi i pirjes së duhanit brenda lokalit nuk ka ndikuar aspak në uljen e numrit të klientëve.

“Jo nuk ndikon. Myshteria janë të njëjtë, të kuptueshëm shumë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, tregoi që nga urdhri i ministrit Peci e deri tash janë realizuar mbi 1 mijë inspektime në tërë territorin e Kosovës prej të cilave në 170 raste janë shqiptuar masa ndëshkuese.

“Nga urdhri i ministrit që të dalim në inspektim për mbikëqyrje për zbatimin e ligjit deri me tani janë realizuar mbi 1 mijë inspektime ku në 170 raste janë shqiptuar masa ndëshkimore në shkelës që janë hasur duke mos respektuar ligjin e duhanit apo duke e konsumuar duhan brenda hapësirave të mbyllura”, tha Thaçi për “Arbresh.info”.

Ai për “Arbresh.info” tregon se sa është gjoba për shkelësit e këtij ligji.

Thaçi: Gjobat nisin nga 50 deri në 3000 euro për persona juridik

“Për konsumatorët është 50 euro, për personat përgjegjës është 800 euro, dhe për bizneset apo personat juridik është 3000 euro”, deklaroi Thaçi.
Pothuajse në të gjitha kafiteritë e vendit, ekziston një ndarje e lokali në dyshë, në pjesën që lejohet pirja e duhanit dhe një pjesë që nuk lejohet konsumimi.

Një ndarje e tillë, Thaçi tha se nuk mund të bëhet dhe nuk lejohet me ligj.

“Sipas ligjit aktual në fuqi nuk mund të bëhet ndarja e hapësirave. Rregulli vlen vetëm në hapësira të hapura lejohet konsumi i duhanit ndërsa në hapësira të mbyllura çfarëdo qofshin ato është e ndaluar konsumimi i duhanit”, tha Thaçi.

Përkundër kësaj, një ligj i tillë është mirëpritur nga qytetarë dhe sipas Thaçit, është duke u respektuar mjaftueshëm.

“Në shumicën prej tyre është duke u respektuar ligji i duhanit dhe po ashtu është duke u mirëpritur nga të gjithë qytetarët që ky ligj që është në fuqi, të zbatohet për shkak se do të ndikoj direkt në shëndetin dhe në jetën e tyre, dhe të gjithë e kanë mirëpritur dhe ne po ashtu jemi duke zhvillu inspektime në të gjithë Kosovën që ligji të bëhet i respektueshëm në të kundërtën secili shkelës do të ketë zero tolerancë dhe do të gjobitet nga ana e inspektorëve”, potencoi Thaçi.

Inspektori sanitar, Ismet Shabani për “Arbresh.info” tregoi se në regjionin e Pejës që nga vendimi e deri me tani janë bërë 160 kontrolle, ndërsa janë gjobitur 15 subjekte afariste.

“Janë bërë 160 kontrolle, janë gjobitur 15 subjekte afariste të cilat nuk i kanë respektuar rregullat në Pejë”. Kryesisht respektohet nëpër të gjithë objektet ka raste shumë të rralla që bëjnë shkelje por në ato raste ndërmerren masa që janë të parapara me ligj”, tha Shabani.

Ndryshe siç ishte bërë më herët, Shabani tregoi se tashmë nuk lejohet ndarja e objekteve, sepse sipas tij, 70 për qind e lokalit është e hapur dhe 30 e mbyll dhe për këtë shkak nuk plotësohen kushtet.

Shabani tregoi se kanë pasur raste kur personat e gjobitur kanë kundërshtuar, duke mos dashur të pranojnë gjobën.

“Kundërshtime ka pasur në disa subjekte, jo aq të forta për shkaqe personale të tyre të cilat janë mësu mos me e respektu ligjin, por kur të vinë gjobat të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kështu që nuk do të kem telashe”, tregoi Shabani.

Ndryshe, Ligji i miratuar që nga viti 2013 ndalon pirjen e duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura dhe vendet publike por që nuk është zbatuar plotësisht asnjëherë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që të merren masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit si dhe shtim të aktivitetit të inspektoratit sanitar në teren.

“Ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë e jo që të mbeten në letër! Ftojmë qytetarët që kudo që evidentojnë raste të mos-zbatimit të Ligjit për Duhanin, t’i raportojnë në numrin 080050095 që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e ka në dispozicion”, ka shkruar Peci në Facebook./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme