Google ADS

EKSKLUZIVE/ Flet për Arbresh.info kosovari, vetura e të cilit u përdor në sulmin ndaj Top Channel

11:19 | 28 Mars 2023
L G

Vetura me të cilën dyshohet se u sulmua mediumi “Top Channel” mbrëmë në Shqipëri, dyshohet se është e Ramadan Makollit, të cilit po e njëjta veturë iu vodh më 10 korrik të 2020-ës në Shëngjin.

Arbresh.info ka arritur të kontaktojë me Makollin, i cili ka thënë se “Range Rover” me të cilin dyshohet se u sulmua “Top Channel” mbrëmë, ka qenë më parë vetura e tij, por që i është vjedhur nga rojtari i sigurisë së hotelit ku ai po qëndronte.

“Range Rover” me të cilin është sulmu Top Channel, ka qenë veturë e imja deri më 10 korrik të 2020-ës, por ajo m’u vodh nga roja i hotelit ku po qëndroja në Shëngjin me pushime atëherë”. tha Makolli për arbresh.info.

Vetura është gjetur mbrëmë e djegur në autostradën e Kavajës, teksa më herët u raportua se ajo ka qenë me targa të huaja, të cilat, ishin vjedhur një muaj më parë.

“Unë i kam pa lajmet që vetura ka qenë me targa të huaja në momentin kur është gjetë e djegur pas sulmit që ka ndodhë mbrëmë. Ato targa nuk e di kur ia kanë qitë, që po më duket kanë qenë angleze, por, mu kur ma kanë vjedhë veturën para tre vjetëve, targat e saj kanë qenë 01, pra, të Kosovës”, tha Makolli për “Arbresh.info”.

“Range Rover” është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave. Në makinë ndodheshin dy armë kallashnikovë, me të cilat autorët ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt godinës së televizionit kombëtar.

Sulmi i rëndë ndaj Top Channel ndodhi pak pas mesnate. Rreth orës 01:00 autorët kanë qëlluar me kallashnikov nga makina në drejtim të godinës. Viktimë e sulmit mbeti roja e sigurisë, Pal Kola 60 vjeç.

Ndërkohë, sot, Policia Shqiptare ka dal me deklaratë, ku ka bërë të ditur se vetura me të cilën është kryer sulmi ndaj televizionit Top Chanel në Shqipëri, dyshohet se është e kosovarit, e cila ka rezultuar e vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale  të Lezhës.

Po ashtu, sipas policisë edhe targat e kësaj veture ishin të vjedhura.

“Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale  të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë  kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit shqiptar.

Lajmi për vjedhjen e veturës së Makollit në vitin 2020:

Kosovarit i vidhet vetura e tipit Range Rover, nga rojtari i hotelit në Shëngjin – Arbresh.info

LEXO EDHE

Vrasja në Top Chanel, Policia e Shtetit ofron shpërblim në vlerë prej 100 mijë euro për ata që ndihmojnë në kapjen e autorëve – Arbresh.info

Të ngjashme