Sa herë që përmendet burgu, mbyllja në katër mure, mungesa e lirisë, janë vetëm disa nga gjërat e para që iu shkon ndërmend të gjithëve.
Por, në Qendrën Korrektuese më të madhe në Kosovë, në burgun e Dubravës, të burgosurve u ofrohet edhe mundësia e shkollimit dhe aftësimit profesional në punë të ndryshme, raporton “Arbresh.info”.
Kryerja apo vazhdimi i shkollimit, por edhe marrja e ndonjë zanati, janë mundësitë që ofron Dubrava për të burgosurit që vuajnë dënimin këtu.
Të burgosurit këtu mund të aftësohen me zanate të ndryshme dhe ta shprehin kreativitetin e tyre në forma nga më të ndryshmet, siç është ajo përmes vizatimeve dhe pikturave të realizuara nga vetë ata.
Ndërkaq, puna profesionale që ata zhvillojnë këtu, i ndihmon që të aftësohen dhe të kalojnë kohën e tyre duke punuar me diçka, siç janë punimet e ndryshme që ata vetë kanë krijuar.
Por, ani pse janë të privuar nga liria për shkak të veprave të ndryshme që kanë kryer, të burgosurit kanë mundësinë të fitojnë një profesion të ri, të cilin mund ta shfrytëzojnë për punësim kur t’i rikthehen lirisë së tyre pas vuajtjes së dënimit.
Udhëheqësi i Instruktorëve, Trajnimeve dhe Shkollës në Dubravë, Ismet Fekaj, për “Arbresh.info” tregon për mundësitë e aftësimit profesional me drejtime të ndryshme që ofron kjo qendër korrektuese.
Vitin e kaluar, të burgosurit e Dubravës kanë krijuar shporta të mbeturinave të cilat tanimë veçse përdoren nëpër parqe dhe shkolla të komunës së Prishtinës.
Ky projekt është bërë në bashkëpunim me organizatën joqeveritare gjermane “Help”, e cila ka premtuar se gjithë të burgosurit pjesëmarrës në këtë projekt, pasi të dalin nga burgu, do të pajisen me mjete të punës, në mënyrë që t’i kenë gjitha mjetet që u nevojiten për të hapur një punëtori të tyren, në formën e bizneseve të vogla.
Ndër profesionet më të pëlqyera të atyre që vuajnë dënimin këtu është ai i axhustatorit, apo salduesit.
I dënuari J.B, ka thënë se mundësia që ai dhe të dënuarit tjerë të punojnë në projekte të ndryshme, e plotëson atë, për shkak se i krijohet mundësia që gabimet e bëra para burgut, t’i kthejë në punë të mira për komunitetin, teksa thotë që gjatë qëndrimit në burg ka zbuluar talentin e tij si saldues.
Ai thotë se stafi i punëtorisë në këtë qendër angazhohen dhe punojnë shumë me të dhe të tjerët që gjenden në Dubravë, teksa tha se të gjitha mundësitë e mësimit i kanë, thjesht duhet dëshira dhe vullneti.
Si i certifikuar si saldues brenda kësaj punëtorie, ai falënderon Qendrën Korrektuese të Dubravës për mundësinë e dhënë që të punojë dhe të aftësohet profesionalisht, duke theksuar projektin për shporta të mbeturinave në Prishtinë dhe Istog.
Kurse i burgosuri tjetër, A.K, thekson se pasi t’i përfundojë dënimi, ai do të vazhdojë që zanatin e fituar në burg si axhustrator, ta zhvillojë si profesion të tij.
Ndërkaq udhëheqësi Fekaj thotë se të gjitha problemet mes të burgosurve që ndodhin në Dubravë, ndodhin brenda pavijoneve, por assesi brenda kësaj punëtorie. Kjo për arsye se vetë punëtoria është në të mirën e tyre.
Për të, puna me të burgosurit ndonëse jo e lehtë, është mision dhe vizion e cila shërben për ofrimin e ndihmës ndaj kësaj kategorie.
Ai beson thellë se kjo punë që bën me ta i ndihmon që t’i kthehen punës, shkollimit dhe dijes, dhe në anën tjetër, i largon nga dukuritë e këqija, përfshirë vetë burgun si të tillë.
Qendra Korrektuese e Dubravës, si burgu më i madh në Kosovë, ka sipërfaqe prej 130 hektarësh, ku 24 hektarë janë të rrethuara me muri të lartë dhe me zonë bujqësore.
Në Dubravë vendosen të burgosurit e dënuar me një vit deri në 15 vjet burg.
Kapaciteti i plotë i kësaj qendre korrektuese është 1175 të burgosur./ Arbresh.info/EmirAbduramani/
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...