Begaj vlerëson rolin e OSBE-së dhe përshëndet marrëveshjen e arritur në Ohër

17:53 | 24 Mars 2023
E.H

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur sot në takim Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid.

Begaj, me anë të një postimi në Facebook, tha se shteti i tij si anëtar i OSBE-së, ka vullnet për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror, përcjell arbresh.info.

“Prita sot Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, znj. Helga Maria Schmid. Vlerësova rolin e Organizatës në këto momente kyçe që kontinenti evropian dhe rendi botëror po kalojnë, si dhe nënvizova vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror”, ka shkruar Begaj.

Begaj tha se e vlerëson edhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe në rajon, dhe po ashtu foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të cilën e përshëndeti.

“Duke u ndalur tek procesi i zgjedhjeve të ardhshme lokale, vlerësova ekspertizën e OSBE/ODIHR dhe theksova se do të bëj gjithçka që më lejon Kushtetuta dhe ligji, që jo thjesht të kemi zgjedhje më të mira se paraardhëset, por zgjedhjet të përmbushin standardet ndërkombëtare, të jenë të lira e të ndershme”, tha Begaj.

“Vlerësova gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon. Në këtë linjë, përshëndeta dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë dhe rikonfirmova qëndrimin e Shqipërisë se dialogu dhe marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet”, u shpreh në fund Begaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme