Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, gjatë vitit 2022, janë ngritur 225 raste të reja që lidhen me zyrtarët shtetërorë, apo 120 më shumë se në vitin paraprak, konfirmojnë zyrtarë të kësaj agjencie.
Drejtori Yll Buleshkaj thotë se rastet e ngritura janë përcjellë edhe me opinion formal dhe se shumë prej tyre janë dorëzuar në prokurori.
“Shumica nga to ndërlidhen me deklarimin e pasurisë, qoftë për shkak të vonesës [së deklarimit], qoftë për shkak të pasaktësisë në deklarim”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, prej vitesh, është në shënjestër të kritikave të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për, siç thuhet, nivel të lartë korrupsioni.
I fundit ka qenë Departamentit amerikan i Shtetit, i cili në një raport të publikuar më 20 mars, ka nxjerrë në pah se Kosova ka “korrupsion serioz qeveritar”.
“Zyrtarët, ndonjëherë, janë të përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia për zbatim të ligjit kanë rezultuar me këtë problem”, është thënë, mes tjerash, në raport.
yrtarë të Qeverisë së Kosovës, në anën tjetër, thonë se janë mbi 300 zyrtarë publikë që janë arrestuar në dy vjetët e fundit nën dyshimet për korrupsion.
“Kjo nuk do të thotë se korrupsioni është eliminuar në tërësi, por besojmë se situata nuk e njëjta siç ka qenë. Ajo po shkon drejt përmirësimit. Përkushtimi ynë mbetet i njëjtë”, thuhet në një deklaratë të ekzekutivit, drejtuar Radios Evropa e Lirë.
Qeveria aktuale, e udhëhequr nga Albin Kurti, e ka marrë detyrën saktësisht dy vjet më parë.
Në deklaratën dërguar REL-it, ajo thotë se Kosova, në raportin e sivjetmë të organizatës ndërkombëtare, Transparency International, ka shënuar përparim, duke u renditur për 20 pozita më mirë, në krahasim me vitin paraprak.
Megjithatë, ky raport ka vlerësuar se Kosova, pavarësisht luftës kundër korrupsionit, nuk e ka ende nën kontroll këtë dukuri.
Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për drejtësi, thotë se problematike në vend është sidomos dukuria e parashkrimit të lëndëve, apo vjetërsimit të tyre.
Kodi Penal i Kosovës e parasheh mundësinë e parashkrimit të lëndës, e cila nëse nuk trajtohet brenda afatit të caktuar ligjor, bën që ndjekja penale ndaj personit të caktuar të ndërpritet.
“Veçanërisht duhet ta kemi parasysh faktin se në Kosovë nuk ka ende asnjë person të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit. Kjo mungesë e rezultateve, përfundimisht, e ka shndërruar sistemin e drejtësisë në një sistem pa zotësi, për t’i dhënë përgjigje korrupsionit qeveritar”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.
Parashkrimi i lëndëve është përmendur si problematikë edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. Sipas tij, Instituti i Kosovës për Drejtësi, në dhjetor të vitit 2021, ka identifikuar 11 raste të korrupsionit që kanë rrezikuar parashkrim. Në janar të vitit 2022, “shtatë nga këto raste kanë skaduar për shkak të parashkrimit”.
Shala thotë se ndodh shpesh që zyrtarë të ndryshëm, “një pjesë të ditës e kalojnë duke u përballur me aktakuza në gjykatë”, ndërsa pjesën tjetër në pozita publike.
“Kjo, të paktën, lë shije të keqe në publik. Ne e kemi parasysh prezumimin e pafajësisë dhe kemi parasysh se, jo domosdo, secili që përballet me aktakuzë, është i fajshëm. Por, në kuptim të mbrojtjes së integritetit të institucionit dhe pastaj edhe të besimit të publikut në një proces gjyqësor të caktuar… të njëjtit duhet të lëshojnë rrugë dhe të mos e mbajnë pozitën gjatë kohës kur kanë probleme me ligjin”, thotë Shala.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur ka marrë mandatin dy vjet më parë, ka thënë se lufta kundër korrupsionit do të jetë në mesin e prioriteteve kryesore të Qeverisë së tij.
Por, sipas Mexhide Demollit nga Lëvizja FOL, që bën fushatë kundër korrupsionit, rezultatet konkrete që e faktojnë luftimin e kësaj dukurie në nivel të lartë, mungojnë.
“Nga ajo që kemi parë deri më tani, asnjë person i profilit të lartë nuk është dënuar me burg efektiv për korrupsion. Prandaj, edhe rrjedh një konkluzion i tillë në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. Jemi mësuar tashmë nga çdo qeveri që ta kemi këtë thënien ‘lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet’. Mirëpo, kjo ndodh vetëm në letër”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.
Ajo pranon se ka nisma të mira legjislative nga Qeveria e Kosovës, sikurse vetingu në sistemin e drejtësisë, apo verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, por thotë se procedura për ta shndërruar këtë në ligj, është duke shkuar “tejet ngadalë”.
Koncept-dokumentin për vetingun në drejtësi, Qeveria e Kosovës e ka miratuar në tetor të vitit 2021. Në shtatorin e vitit 2022, dosja e vetingut i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa në shkurt të këtij viti, një komision ad-hoc i Kuvendit ka votuar ndryshimet kushtetuese për vetingun.
Një muaj më vonë, Konjufca ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës amendamentet për të marrë mendimin, por kjo gjykatë nuk ka dalë ende me vendim./rel/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...