Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe drejtorin e ardhshëm të NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein.
Gjatë takimit, Osmani diskutoi një varg temash me të dy gjeneralë brigadash, duke u fokusuar në rëndësinë e maksimizimit të të gjitha përpjekjeve për zhvillimin, trajnimin dhe dërgimin e misioneve jashtë vendit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, e me qëllim përfundimtar anëtarësimin në këtë organizatë.
Ky objektiv mbetet prioritet kryesor strategjik i politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për Kosovën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Presidentja shfrytëzoi rastin për të shprehur vlerësimin e saj për mbështetjen e rëndësishme, si dhe asistencën zhvillimore të ofruar nga NALT-i, në kuadër të misionit dhe mandatit të vet.
Osmani theksoi se mbështetja e dhënë nga ekipi i NALT-it ka qenë e rëndësishme për ta ndihmuar Kosovën të arrijë përparim të dukshëm drejt synimit të saj për anëtarësim në NATO.
“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të rëndësishëm në përmbushjen e misionit të NALT-it në Kosovë, Presidentja Osmani e dekoroi drejtorin në largim të NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe me Medaljen Presidenciale Ushtarake, për mbështetjen e jashtëzakonshme në ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe aftësimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. Ky nderim pasqyron vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për përpjekjet e jashtëzakonshme të gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe ekipeve të NALT-it”, thuhet në komunikatën për media nga Presidenca.
Duke shprehur mirënjohje për gjeneral brigade në largim Joachim Hoppe, Osmani shprehu gjithashtu përkushtimin e saj për të punuar ngushtë me drejtorin e ardhshëm të NALT-it, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein për ta forcuar bashkëpunimin në të ardhmen.
Osmani ka potencuar se është e përkushtuar që të punojë ngushtë me NATO-n dhe të gjithë partnerët e saj për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Republikës dhe rrjedhimisht të rajonit, duke theksuar se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj prioritetit të saj strategjik – integrimit e plotë në institucionet euroatlantike./arbresh.info/
Shqipëria uron për fitoren presidentin e zgjedhur Donald Tru...
”Pse jo para tre viteve?”, Kica-Xhelili akuzon qeverinë për ...
Muçi shënon gol në fitoren e Malmos në Europa League
Drenusha për Atillën: Nëse më kërkon falje ia tërheq rastin ...
DW: Qendrat italiane të migrantëve në Shqipëri nuk duhet të ...
Rukiqi: Me Abdixhikun kryeministër do të riparohen raportet ...