Nesër nis Ramazani, këto janë këshillat e nurtricistes Ajshe Ibrahimi për agjëruesit

12:48 | 22 Mars 2023
L G

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e islamit dhe zgjatë nga agimi deri në perëndimin e diellit.

Për një muaj, besimtarët e fesë islame janë të obliguar të agjërojnë.

Gjatë kësaj periudhe, përpos disa ndalesave të caktuara, sipas rregullave të agjërimit bëhet edhe braktisja e ushqimit dhe pijes.

Se cilat janë efektet, apo ndikimi i agjërimit në trupin dhe shëndetin e njeriut gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe si duhet të ushqehemi tregon për “Arbresh.info” nutricistja, Ajshe Ibrahimi.

Ajo thotë se agjërimi nëse ndiqet si duhet, mund të ndikoj mirë në shëndetin e njeriut.

“Mendohet që abstenimi nga ushqimi mund të ndihmojë në detoksifikimin e organizimit, duke shpërbërë qelizat dhjamore, për t`i përdorë për energji dhe duke çliruar toksina që mund të jenë të depozituara në to. Nëse ndiqet si duhet, mund të ndikojë në uljen e kolesterolit dhe në largimin e peshës së tepërt”, tregon nutricistja Ibrahimi.

Ashtu si me çdo ndryshim diete apo stili jetese, sipas saj, edhe agjërimi ka rreziqe.

Ndryshimi i zakoneve të ushqyerjes në muajin e Ramazanit mund të shkaktojë edhe probleme shëndetësore, prandaj nutricistja tregon edhe si të ushqeheni gjatë këtij muaji.

“Gjatë Ramazanit, nëse ushqimi konsumohet i kombinuar me të gjithë nutrientet e nevojshëm siç janë: proteinat, karbohidratet, vitaminat, fibrat, yndyrat, mineralet dhe uji dhe, nëse merret në mënyrën e drejtë dhe në sasinë e duhur, atëherë nuk e lejon trupin të ketë uri. Gjatë periudhës së agjërimit, të gjithë që mbajnë Ramazan, ushqehen në dy vaktet kryesore, siç janë iftari dhe syfyri, por është shumë e rëndësishme rritja e numrit të vakteve, për të mos përjetuar probleme metabolike. Për këtë arsye mundohuni të konsumoni edhe një vakt pas iftarit”, thotë Ibrahimi.

Ajo për lexuesit e “Arbresh.info”, tregon se cilat ushqime janë më të pasura me vlera ushqyese.

“Është e nevojshme të konsumohet, ushqimi i cili tretet ngadalë, ushqime të pasura me vitamina, minerale dhe oligo-elemente, të cilat gjinden në pemë dhe perime të freskëta sezonale, te pemët me lëvore, pastaj te pemët e thara, ndër të cilat janë hurma, kajsia, rrushi, fiku apo kumbullat. Kastraveci është një burim shumë i mirë plotësues për ujin dhe elektrolitët. Bostani e pjepri gjithashtu janë fruta që plotësojnë më së miri nevojat për lëngje, sheqer dhe fibra. Ushqimet me përmbajtje karbohidratesh, të shoqëruara me sa më shumë fibra dhe ujë, siç janë: tërshëra, elbi, thekra, buka e zezë, makaronat kafe dhe orizi kafe, patatet e vogla me lëkurë, bizelet, fasulet dhe misrat sigurojnë më shumë energji gjatë ditës”, tregon nutricistja.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme të ketë aktivitete fizike si dhe merren mjaftueshëm lëngje, së paku tetë gota ujë dhe jo vetëm gjatë ushqimit, por edhe në kohën mes vakteve, duke mos anashkaluar as çajrat bimorë.

Nutricistja ka edhe disa këshilla se me çfarë ushqimi nuk duhet të teprohet.

“Të mos teprohet me kripën, pasi gjatë agjërimit mund të keni etje. Mundohuni të qëndroni larg ushqimeve të skuqura dhe produkteve me yndyrë, të kripura apo me sherbet. Nuk rekomandohet konsumimi i pijeve të gazuara, sepse kanë ndikim të keq në organizim dhe shkaktojnë pengesa në lukth dhe në zorrë. Gjatë Ramazanit është mirë të ndiqni një regjim të ekuilibruar në dy vaktet tuaja”, shprehet ajo.

Ndryshe, muaji i shenjtë i Ramazanit do të fillojë të enjten (nesër).

Agjërimi që fillon para lindjes së diellit deri në perëndim të diellit zgjat diku nga 12 deri në 18 orë, në varësi të vendit ku ndodheni në botë.

Myslimanët besojnë se Ramazani është muaji kur vargjet e para të librit të shenjtë të Kuranit iu shpallën Profetit Muhamed më shumë se 1400 vjet më parë.

Ramazani fillon çdo vit 10 deri në 12 ditë më herët. Kjo për shkak se kalendari islamik bazohet në kalendarin hënor të Hixhrit me muaj që janë 29 ose 30 ditë. Këtë vit, dita e parë e agjërimit në Mekë ka të ngjarë të jetë e enjtja, 23 mars, në varësi të shikimit të hënës së re. /Arbresh.info/Vjollca Gajraku/

 

 

 

 

 

 

Të ngjashme