Google ADS

Kurti: Vuçiq e refuzoi ofertën time për “vetëmenaxhim” të serbëve të Kosovës

18:05 | 21 Mars 2023
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka refuzuar ofertën e tij për “vetëmenaxhim” të serbëve të Kosovës në një asociacion që do ta hartonte dhe propozonte vetë Kurti.

Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se këtë e ka bërë pas refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel dhe para se të refuzojë aneksin e kësaj marrëveshjeje më 18 mars në Ohër.

Shefi i ekzekutivit e ka shtruar pyetjen me ironi se a është Vuçiq një “Doktor Jo apo Zotëri Jo”(nga Rusishtja Nyet)”? teksa ka theksuar se të paktën e di se nuk është mjek.

“Pas refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe para se të refuzonte përsëri nënshkrimin e saj me Aneksin e 18 Marsit, presidenti i Serbisë refuzoi ofertën time bujare për vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës në një asociacion që unë do ta hartoja dhe propozoja. A është ai Dr. Jo apo z. Nyet? E dimë që ai nuk është mjek”, ka shkruar Kurti, përcjell arbresh.info.

Kujtojmë se sot gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiq më 21 mars pasi u takua në Beograd me kryediplomatin e Italisë, Antonio Tajani.

Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.

Kosova dhe Serbia u pajtuan se nuk do të bllokojnë zbatimin e asnjë neni të marrëveshjes.

Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Kosova, në anën tjetër, është pajtuar që të punojë në ofrimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, bazuar në marrëveshjet paraprake të arritura në dialog.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme