Policia Amerikane në gatishmëri përpara arrestimit të mundshëm të Donald Trump

12:52 | 21 Mars 2023
Diellza Gashi

Policia në qytetet e mëdha amerikane po përgatitet për trazira të mundshme në rast se ish-presidenti Donald Trump arrestohet këtë javë si pjesë e një hetimi për “paratë për heshtje”, shkruan BBC.

Autoritetet zyrtare në Nju Jork, Uashington DC dhe Los Anxhelos po rrisin praninë e tyre për zbatimin e ligjit, për shkak se një prokuror i Manhatanit mund të akuzojë Trump për pretendimet se ai ka paguar yllin pornografik, Stormy Daniels, që të heshtë për aferën që dyshohet se kanë pasur.

Agjentët e Shërbimit Sekret të caktuar për të mbrojtur ish-presidentin Trump do të qëndrojnë me të gjatë çdo arrestimi, raporton NBC.

Për këtë rast, është ngritur një juri e quajtur juria e madhe për të përcaktuar nëse ka prova të mjaftueshme për të paditur zotin Trump. Në seancën e fundit nga kjo juri të hënën, një aleat ligjor i Trump dëshmoi për të kundërshtuar provat e ofruara nga një dëshmitar i prokurorisë.

Poashtu, vet ish-presidenti ka mohuar se ai ka pasur ndonjë përfshirje seksuale me aktoren që kur akuzat u shfaqën në vitin 2018, ndërkaq kjo do të ishte çështja e parë penale e ngritur kundër një ish-presidenti amerikan.

Në anën tjetër, aktorja Daniels pretendon se ajo dhe Trump kishin marrëdhënie seksuale dhe se ajo pranoi 130,000 dollarë nga ish-avokati i tij përpara zgjedhjeve të 2016-ës në këmbim të heshtjes së saj. Më vonë avokati, Michael Cohen, u burgos me akuza të shumta.

Nuk është e paligjshme t’i paguash dikujt kompensim në këmbim të një marrëveshje moszbulimi (NDA) që nënkupton një kontratë ligjërisht e detyrueshme e cila krijon një marrëdhënie konfidenciale. Por meqenëse pagesa u bë një muaj para zgjedhjeve presidenciale, kritikët e Trump argumentuan se paratë mund të përbënin një shkelje të fushatës, raporton BBC.

Në gusht 2018, Z. Cohen, ish-avokati i Trump, u deklarua fajtor për evazion fiskal dhe thyerje të rregullave të financimit të fushatës, pjesërisht në lidhje me pagesën e tij ndaj zonjës Daniels dhe një dashnore tjetër të supozuar të Trump.

Edhe pse fillimisht ai tha se Trump nuk kishte asnjë lidhje me pagesat, Cohen më vonë dëshmoi nën betim se zoti Trump e kishte urdhëruar atë të bënte pagesën e heshtur prej 130,000 dollarësh disa ditë përpara zgjedhjeve të 2016-ës. Ai tha gjithashtu se presidenti e rimbursoi atë për pagesën.

Trump e ka pranuar personalisht rimbursimin e pagesës, e cila nuk është e paligjshme, por ka mohuar aferën dhe çdo keqbërje në lidhje me ligjet e fushatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme